Lidhje

Tregu i zi i teknologjisë bërthamore - 2004-03-15


Ekspertë të armëve bërhtamore thonë se kërcënimi që një grup terrorist të prodhojë dhe të përdorë një bombë bërthamore, është real.

Shqetësimi rreth përhapjes së teknologjisë bërhtamore është rritur pas pohimit të shkencëtarit pakistanez, Abdul Qedder Khan se ka shitur projekte dhe material bërthamor jashtë vendit. Përmasat e këtij tregu të zi bërthamor shqetëson shumë vëzhgues, përfshirë Agjencinë e OKB-së për Energjinë Atomike.

Ndërkohë që Libia, Irani dhe Koreja e Veriut janë përmendur në kuadër të këtij skandali, Melissa Fleming e zyrës së marrëdhënieve publike të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, thotë se agjencia është e shqetësuar se edhe të tjerë, përfshirë grupe terroriste, mund të kenë blerë teknologji armësh bërthamore. Ajo thotë se shitja nga doktor Khani e detajeve të prodhimit të një bombe është veçanërisht shqetësuese. ”Një nga shenjat më shqetësuese në Libi janë kopjet e projekteve për prodhimin e armëve bërthamore. Është tepër e rrezikshme, nëse një grup terrorist shtie në dorë projekte të tilla dhe përmes tregut të zi gjen materiale të gatshme bërthamore”, thotë ekspertja.

Edhe pa projekte të gatshme, prodhimi i një bombe bërthamore është brenda mundësisve të çdo grupi që ka kohë e para të majftueshme. Fizikani pakistanez, Pervez Hoodbhoy, thotë se shkenca e prodhimit të bombave nuk është më aq sekrete: ”Fizika e një procesi të tillë është tani mjaft e lehtë. Nuk duhet një nivel më i lartë ekspertize se ajo e një studenti që mbron doktoratën. Projekti i bombës mund të jetë në nivelin e tezës së tij. Pastaj për montimin e saj duhen inxhinierë, teknologë, ndoshta një grup prej 15 apo 20 vetësh dhe jo më shumë se një apo dy vjet”.

Vështirësia kryesore për terroristët do të ishte gjetja e uraniumit apo e plutoniumit të cilësisë për prodhimin e armëve.

Fatmirësisht, asnjë nga këto materiale nuk mund të gjenden në natyrë dhe ekspertët janë të një mendjeje se përpunimi i tyre do të kërkonte një bazë të madhe industriale, gjë që është e pamundur, madje edhe për disa vende. Por, doktor Hoodbhoy vëren se plutoniumi dhe uraniumi i pasurur mund të sigurohen qoftë si bashkëprodukt i centraleve bërthamore ose nga nga çmontimi i raketave bërthamore.

Zonja Fleming thotë se nuk dihet me siguri nëse Rusia dhe shtete të tjera që kanë teknologji a material bërthamor, po ia dalin t’i ruajnë, por shpreh kënaqësi që rastet e trafikut të materialit bërthamor kanë qenë të pakëta dhe në distancë të madhe kohore nga njerëi-tjetri.

Zonja Fleming thotë se agjencia e saj po bashkëpunon me vendet anëtare të OKB-së në lidhje me këto shqetësime, megjithatë, thotë ajo, ka ende vend për përmirësim. //rd//

XS
SM
MD
LG