Lidhje

“Idealizmi i të qënit nënë dhe si i ka ndryshuar kjo gratë"-një libër i ri mbi rolin e dyfishtë të grave në shoqëri - 2004-03-22


Në marrëdhënie pune apo në shtëpi, nënat me fëmijë të vegjël janë sot më të ngarkuara se kurrë. Megjithëse secila ka një histori më vete, gëzimet dhe lodhja që vijnë bashkë me kujdesin për fëmijët, shtëpinë, familjen, punën dhe veten janë universale. Nënat me emër në fusha të ndryshme të jetës, të krijojnë idenë se rritja e fëmijëve është një gjë e thjeshtë... diçka që i bën të tjerat të ndjehen sikur nuk bëjnë sa duhet për familjet e tyre.

Nënat me fëmijë të vegjël janë shumë të ngarkuara dhe të lodhura... veçanërisht kur punojnë edhe jashtë shtëpisë.

Por megjithë përpjekjet e tyre, shumë gra ndjejnë sikur duhet të punojnë edhe më shumë për t’u bërë nëna të suksesshme. Sipas profesoreshës së universitetit të Miçiganit Susan Douglas ndryshimet në mënyrën e jetesës gjatë 20 vjetëve të fundit e kanë bërë edhe më të vështirë dhe plot strese detyrën e nënës.

"Koha e lirë është ulur ndjeshëm që nga viti 1980. Njerëzit tani punojnë më shumë, me orë të zgjatura dhe këtu përfshihen edhe nënat. Në të njëjtën kohë standartet e të qënurit nënë e mirë janë rritur shumë. Kështu që nënat janë kapur si në kurth në mes të këtyre ndryshimeve që e bëjnë pozitën e tyre shumë stresuese dhe të pamundur,"- thotë profesorja.

Zonja Douglas është bashkëautore e librit “Idealizmi i të qënurit nënë dhe si i ka ndryshuar kjo gratë”. Gjatë viteve 70 pati një numër të madh grash që punonin jashtë shtëpisë dhe rrisnin njëkohësisht fëmijët e tyre të vegjël. Zonja Douglas thotë se këto nëna nuk kishin shembullin e kujt të ndiqnin kështu që i hodhën sytë nga televizioni për të parë aktoret dhe yjet e filmave që dukej se bënin gjithçka.

"Fotografitë e nënave të famshme filluan të ishin kudo në revistat e viteve 80. Këto nëna dukeshin si model për të tjerat pasi në rolet që kishin në ekran, ato punonin. Shumë nëna atëherë shkonin në punë dhe kishin edhe fëmijë për të rritur, gjë që nuk e kishte bërë brezi i mëparshëm. Kështu që nënat e skenës filluan të kenë rolin e udhërrëfyeses."-thote zonja Douglas.

Por zonja Douglas thotë se nënat e famshme po krijonin standarte të larta artificiale që nënat e tjera në jetën reale nuk mund t’i arrinin.

Disa nëna të famshme e pranojnë se ka një ndryshim të madh midis familjeve të tyre dhe të tjerëve. Zonja Douglas tregon për fituesen e çmimit Oskar, nënën e katër fëmijëve, Meryl Streep.

"E kam parë në shumë intervista ku e pyesin, ”Si arrin të bësh gjithçka, je e mrekullueshme, ke fëmijë, duhet të jesh e përsosur.” Dhe ajo përgjigjet, ”mos më idealizo, nuk mund të arrija këtu pa patur ndihmën që kam, dhe kam shumë. Nuk është e lehtë dhe mënyra e vetme që më jep këtë mundësi është ndihma e madhe që më ofrohet.”

Pra, aktorja e sjell standardin më pranë realitetit dhe unë e admiroj për këtë, thotë shkrimtarja.

Autorja Susan Douglas i shtyn nënat që punojnë të mos ndihen fajtore dhe të vazhdojnë të bëjnë atë që duhet për të mirën e tyre dhe të brezave që vijnë. Ajo shpreson se libri i saj do të shërbejë si udhërrëfyes për nënat në jetën reale për të caktuar standardet e tyre të suksesit. Susan Douglas thotë se gratë duhet të refuzojnë mitin që i bën të ndjehen se nuk kanë bërë asnjëherë aq sa duhet, kur në fakt ato i kryejnë detyrat e tyre më së miri.// lk //

XS
SM
MD
LG