Lidhje

Harri Holkeri: plani i zbatimit të standardeve për Kosovën, i hapur për ndryshime - 2004-04-02


Kryeadministratori i Kosovës, Hari Hollkeri deklaroi të premten në Beograd në një bisedë me kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica se plani për vënien në jetë të standardeve për Kosovën është i hapur për ndryshime dhe se decentralizimi i Kosovës duhet të jetë objekt i dialogut me Beogradin.

Shefi i UNMIK-ut shkoi në Beogard papritur dhe ky është takimi i parë i tij me qeveritarët serb pas trazirave të dhunshme të marsit në Kosovë.

Ai zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura me kryeministrin e Serbisë Vojsillav Kostunica, për të cilat më pas është lëshuar një njoftim shtyëi nga Qeveria.

Burime të mirëinformuara thonë se zoti Hollkeri i solli Qeverisë serbe Planin për zbatimin e Standardeve për Kosovën të cilin e ka publikuar ditë më parë në Prishtinë, si edhe ka biseduar për format e decentralizimit të Kosovës.

Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj këtij plani, përveçse po këmbëngul për decentarlizimin e Kosovës, kurse shefi i Qendrës bashkërenduese për Kosovën Nebojsha Çoviq e ka quajtur përurimin e Planit "teatër" dha ka shtuar se pas asaj që ka ndodhur në Kosovë muajin e kaluar zgjidhja e vetme është ndarja e shqiptarëve dhe serbëve.

Në njoftimin e Qeverisë serbe citohen edhe fjalët e shefit të UNMIK-ut të ketë thënë se plani për zbatimin e Standardeve për Kosovën kërkon përpunimin e mëtejshëm dhe se është i vetëdijshem se në të nevojiten ndryshime.

Hollkeri ka vlerësuar, sipas njoftimin, se në Kosovë më 17 e 18 mars ka ndodhur dhunë e organizuar me motive etnike dhe e ka njoftuar hollësisht Koshtunicën me masat e KFOR-it dhe të UNMIK-ut për zbulimin e dënimin e autorëve, duke thënë se në këto raste do të punojnë 38 prokurorë ndërkombëtarë, kurse në vlerësimin e riparimit të dëmeve në objektet fetare do të përfshihet edhe UNESKO-ja dhe Këshilli i Evropës.

Me këtë rast kryeministri Koshtunica si çështje të dorës së parë përmendi pozitën afatgjatë institucionale të popullit serb në Kosovë dhe ka paralajmëruar se Qeveria e tij do t’ia propozojë Kuvendit të Serbisë Planin për zgjidhjen institucionale të këtij problemi.

Zoti Koshtunica citohet të ketë theksuar se dhuna e fundit etnike në Kosovë nuk ka qenë e papritur për Beogradin duke qenë se fjala është për veprimin në vazhdimësi të, siç ka thënë, ekstermistëve shqiptarë në tërë periudhën pas qershorit të vitit 1999. Koshtunica ka thënë se ky problem i përhershëm nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut dhe i mbrojtjes fizike të serbëve, por para së gjithash çështje e ekzistencës e tyre.

Shefi i UNMIK-ut, pas bisedës me Koshtunicën është takuar edhe me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, në Beograd të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe nga ky takim për momentin nuk është dhënë ndonjë njoftim.//kk//

XS
SM
MD
LG