Dita e sotme (e premte) shënon fundin e një udhëtimi me të vërtetë të jashtëzakonshëm për mua. Kjo është dita ime e fundit në Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës.
Të hënën, do të fillojë një detyrë të re, si redaktor përgjegjës në Departamentin Evropian. Unë fillova punë në Zërin e Amerikës në dhjetor të vitit 1980, në një kohë kur shqiptarët jetonin nën regjimet shtypëse komuniste dhe kur kontaktet midis shqiptarëve dhe amerikanëve pothuajse nuk ekzistonin.
Shumë shqiptarë, në atë kohë, e shikonin Zërin e Amerikës si të vetmen dritare shprese. Kolegët e mi dhe unë u angazhuam me gjithë shpirt për përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës: t’u tregonim dëgjuesve të vërtetën rreth shoqërisë së tyre dhe zhvillimeve në botë; të nxisnim respektin për të drejtat e njeriut; të përhapnim lirinë dhe demokracinë; të nxisnim interesat amerikane në Ballkan, si dhe miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve.
Shërbimi Shqip gjithmonë është përpjekur të ruajë një nivel të lartë profesionalizmi, që është tipari dallues i Zërit të Amerikës. Gjatë karrierës sime të gjatë me Zërin e Amerikës, kam qenë dëshmitar i zhvillimeve vërtetë dramatike. Kam patur nderin dhe privilegjin të kem komunikuar me shqiptarë të të gjitha fushave.
Në detyrën time jam përpjekur të jem sa më objektiv dhe i paanshëm. Por jam i ndërgjegjshëm, që kjo ndoshta nuk ka qënë gjithmonë e mundur. Kam ndjerë dhimbje për viktimat e pafajshme të diktaturës komuniste, për mungesën e të drejtave bazë të njeriut dhe shtypjen mizore të atyre që shprehnin pikëpamje të ndryshme. Në të njejtën kohë, për mua ishte më tepër se një gëzim rrëzimi i komunizmit dhe ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës.
Karriera ime e gjatë tek Zëri i Amerikës ka qënë mbi të gjitha një shpërblim i lartë profesional dhe personal. Sot ndihem krenar për atë që ka arritur Shërbimi Shqip.
Ndihem me të vërtetë i bekuar që kam patur mundësinë të punoj për një institucion që gëzon një shkallë të lartë besueshmërie dhe besnikërie tek shikuesit dhe dëgjuesit.
Dua të falenderoj me këtë rast kolegët e mi këtu në Uashington dhe korrespondentët tanë në rajon. Ka qenë kënaqësi për mua të punoj me një grup kaq të përkushtuar profesionistësh.
Së fundi, më lejoni t’ju falenderoj JU, dëgjuesit dhe shikuesit tanë të nderuar.
Ju uroj gjithë të mirat.