Lidhje

Bush rithekson vendosmërinë amerikane - 2004-04-10


Presidenti Bush tha se trupat amerikane në Irak do të vazhdojnë ofensivën. Ai i bëri komentet pas njërës prej javëve më të përgjakshme në Irak që nga maji i vitit të kaluar, kur Presidenti shpalli përfundimin e operacioneve kryesore luftarake atje. Siç njofton korrespondenti ynë pranë Shtëpisë së Bardhë, Scott Stearns, demokratët thonë se plani i presidentit për tu’a dorëzuar pushtetin irakianëve para datës 30 qershor, mund të bëhet shkak për një luftë civile.

Presidenti Bush tha se forcat amerikane në Irak nuk do të mposhten nga ajo që ai e quajti një fraksion i vogël i cili po përpiqet të minojë demokracinë dhe të marrë pushtetin.

”Forcat e reagimit të shpejtë të koalicionit tonë po e gjejnë dhe po e angazhojnë armikun në luftime. Ata po kapin robër dhe po grumbullojnë informacione zbulimi. Veprimet tona vendimtare do të vazhdojnë derisa këta armiq të demokracisë të marrin përgjigjen e duhur,” tha presidenti.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se ai nuk do të heqë dorë nga afati për dorëzimin e pushtetit në Irak, sepse, siç tha ai, kjo është pikërisht ajo që kërkon armiku.

”Ata duan të diktojnë rrjedhën e zhvillimeve në Irak dhe të mos e lejojnë popullin irakian të ketë një zë të vërtetë për të ardhmen e tij. Ata duan që Amerika dhe koalicioni ynë të dështojnë në angazhimet tona përpara botës që na vështron. Në ambiciet e tyre, armiqtë e lirisë do të dështojnë. Sovraniteti irakian do të bëhet realitet më 30 qershor,” tha Presidenti.

Në përgjigjen e demokratëve, senatori i shtetit Michigan Carl Levin e kritikoi presidentin që caktoi një afat të tillë pa pyetur Kombet e Bashkuara.

”Nëse ne i rikthejmë sovranitetin një entiteti të krijuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka mbështetjen e popullit irakian dhe të komunitetit ndërkombëtar, ndaj forcave tona do të ketë dhunë akoma më të madhe, përfshirë mundësinë e një lufte civile.”

Senatori Levin tha se operacionet e Shteteve të Bashkuara në Irak janë dëmtuar nga dështimet në fushën e informacioneve të zbulimit, nga planifikimi i pamjaftueshëm dhe nga vendimi për të shpërndarë ushtrinë irakiane, gjë që, sipas senatorit, la dhjetra mijra irakianë të rinj, të armatosur dhe të zemëruar pa asnjë mjet mbështetjeje.

Ai tha se në fund të fundit, suksesi në Irak do të përcaktohet nga ndihma që do të kërkojë Uashingtoni në komunitetin ndërkombëtar.

”Duke përqafuar Kombet e Bashkuara si partnere të plota për të vendosur përbërjen e një qeverie të përkohshme irakiane dhe kohën e transferimit të sovranitetit, kjo do të ndihmonte për ta shpërndarë më barabar barrën e stabilizimit të Irakut,” tha senatori Levin.

Presidenti Bush do të takohet të hënën me Presidentin egjiptian Hosni Mubarak ndërsa të premten me kryeministrin britanik Tony Blair. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se të dy takimet janë pjesë e konsultimeve të rregullta për Irakun dhe Lindjen e Mesme.

Në fjalimin e tij në radio, Presidenti Bush e hodhi vështrimin drejt së ardhmes, duke thënë se i dërguari i posaçëm i OKB-së Lakhdar Brahimi po konsultohet mbi strukturën e qeverisë së përkohshme. Zgjedhjet për një qeveri të përhershme janë planifikuar për nga fundi i vitit 2005 dhe Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të qendrojnë në krah të popullit irakian për sa kohë të jetë e nevojshme, për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe suksesin e asaj që ai e quajti demokraci e re irakiane.//ii

XS
SM
MD
LG