Lidhje

Raport paraprak i komisionit "11 shtatori" - 2004-04-13


Komisioni i pavarur që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në New York e Washington, nxori një raport tepër kritik ndaj punës së agjencive të antikrimit në Shtetet e Bashkuara, gjatë periudhës para sulmeve.

Komisioni ”11 shtatori” nxori një raport paraprak, ku vë para përgjegjësisë Departamentin e Drejtësisë dhe Zyrën Federale të Hetimeve që nuk e kishin terrorizmin ndër përparësitë më kryesore gjatë muajve para sulmeve të 11 shtatorit.

Një ditë para 11 shtatorit, Prokurori i Përgjithshëm, John Ashcroft, refuzoi një kërkesë të FBI-së për më shumë fonde në përpjekjet kundër terrorizmit. Komisioni ”11 shtatori” thotë se FBI-ja ishte e kufizuar në përpjekjet e saj për mbledhjen e të dhënave të zbulimit në lidhje me kërcënimet terroriste brenda Amerikës.

Kryetari i Komisionit, Thomas Kane, thotë se raporti kritik ndaj FBI-së është në thelb, një padi që ngrihet kundër kësaj agjencie. Ish-drejtori i FBI-së Louis Freeh iu kundërvu një vlerësimi të tillë dhe tha se problemi kryesor ishte mungesa e fondeve për identifikimin e kërcënimeve terroriste dhe përballimin e tyre.

Anëtari i komisionit hetimor, Bob Kerry, ish-senator demokrat nga Nebraska, e pyeti me këmbëngulje ish-drejetorin e FBI-së se përse agjencitë anti-terrorizëm nuk kanë qenë më të përgatitura në kohën e shtimit të kërëcënimeve.

”Nuk ishim në gatishmëri, domethënë nuk ishim aspak të përgatitur dhe më mundon pyetja se përse nuk ishin njoftuar linjat ajrore që të rrisnin shkallën e gatishmërisë”,- tha ish senatori.

Zoti Freeh i doli në mbrojtje përpjekjeve të FBI-së kundër terrorizmit para sulmeve të 11 shtatorit, duke i quajtur ato tepër të efektshme në kushtet e kufizuara financiare të agjencisë.

”Nuk ekzistonte në radhët e FBI-së nocioni që procedimi penal i terroristëve dhe hetimi i organizatave të tyre të zëvendësonte veprimin ushtarak, masat në politikën e jashtme, apo shpalljen e luftës nga ana e Shteteve të Bashkuara një armiku që na kishte shpallur luftë prej vitesh”, tha zoti Freeh.

Në raportin e komisionit thuhet se FBI gëzonte një kulturë, në bazë të së cilës agjentët shpesh ishin dekoruar dhe ngritur në detyrë për hetime që çojnë në arrestim e ndjekje penale, por se hetimet ku përfshiheshin përpjekje zbulimi dhe antiterrorizmi ishin konsideruar përparësi e vogël në agjenci.

Komisioni "11 shtatori" u ngrit vjet nga Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë për të zbuluar se ku qendronin shkaqet që ndodhën sulmet terroriste dhe çfarë mund të bëhet për parandalimin e tyre në të ardhmen. Një raport përfundimtar i komisionit duhet të dalë nga fundi i korrikut.// lk //

XS
SM
MD
LG