Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton për Kosovën - 2004-04-13


Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkura filloi të martën në mëngjes me një fjalim të Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, Zhan Mari Geno, i cili kritikoi ashpër njoftimet nxitëse dhe të njëanëshme mbi dy incidentet që çuan në shpërthimin e dhunës në Kosovë.

Zoti Geno tha se demonstratat që pasuan incidentet që fillimisht ishin spontane, por menjëherë u shfrytëzuan nga elementë të organizuar, qëllimi i të cilëve ishte dëbimi i serbëve nga Kosova dhe kërcënimi i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare atje.

Zoti Geno tha se dhuna e ushtruar nga shqiptarët ndaj serbëve dhe romëve ishte e organizuar në shkallë të gjërë dhe me objektiva të caktuara. Ai tha se më shqetësuese ishte djegia e kishave ortodokse serbe dhe objekteve të tjera të feve të ndryshme, dy prej të cilave i përkisnin Uneskos. Zoti Geno tha se këto nuk ishin vetëm sulme kundër objekteve fetare, por kundër objekteve kulturore të Kosovës. Ai tha se dhuna ka shënuar një kthesë mbrapsht për procesin e kthimit të refugjatëve në Kosovë dhe shtoi se prej andej janë shpërngulur edhe banorë të tjerë.

Zoti Geno e vuri gjithashtu në dijeni Këshillin e Sigurimit se përgjigja fillestare e institucioneve drejtuese të Kosovës ishte e dyzuar. Ai tha se megjithëse Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi bëri thirrje për t'i dhënë menjëherë fund dhunës, qeveria e Kosovës lëshoi një deklaratë, në të cilën përqëndrohej në mbytjen e fëmijëve shqiptarë, deklaratë e cila nuk mbështetej në fakte.

Zoti Geno kritikoi gjithashtu shoqërinë civile të Kosovës, kur tha se nuk u mor përgjegjësi për shpërthimin e dhunës etnike. Zoti Geno vuri në dukje se ish-anëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës morën pjesë në dhunë.

Zoti Geno vlerësoi pozitivisht qëndrimin e Beogradit ndaj djegjes së xhamive dhe premtimin e qeverisë për rindërtimin e tyre. Zoti Geno përfundoi duke thënë se brutaliteti i ngjarjeve tregon se Kosova ka një rrugë të gjatë përpara, drejt ndërtimit të një shoqërie shumëetnike.

Ai bëri thirrje për marrjen e masave konkrete nga ana e udhëheqësve të Kosovës dhe popullit të Kosovës, për të shqyrtuar shkaqet që çuan në dhunën e motivuar etnikisht.

Pas fjalimit të zotit Geno, diskutuan edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit, ndërmjet të cilëve, përfaqësues të Britanisë së Madhe, Rusisë, Francës, Spanjës, Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, si dhe Serbia e Mali i Zi dhe Shqipëria.// lk //

XS
SM
MD
LG