Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 300 mijë kolegje dhe universitete dhe sipas llogaritjeve 10 për qind e tyre i japin jetë komuniteteve ku janë ngritur.
Ato janë burimi kryesor i punësimit dhe qendra e veprimtarive kulturore ose sportive në atë zonë. Shpesh herë komunitete të tilla quhen qytete-kolegje, pasi gjysma e popullsisë janë studentë. Një ndër më të famshmit e këtyre qyteteve, Athens në shtetin Georgia, është i njohur për amatorët e muzikës kudo në botë. Këngëtari i grupit REM, Michael Stripe, erdhi këtu në fillim të viteve ’80 për të ndjekur studimet në Universitetin e Georgias. Ai u përfshi në skenën e pasur muzikore të qytetit, që prej kohësh kishte tërhequr talente të reja muzikore.
Një ndër banorët e qytetit, Peter Gorig, i cili doli në pension para 7 vjetësh, thotë se universiteti i jep qytetit Athens një atmosferë dinamike: “Është qytet plot energji. Më jep kënaqësi të marr pjesë në veprimtaritë që organizon universiteti për studentët, të cilat janë të hapura edhe për banorët”.
Sipas Peter Gorig, pikërisht këto veprimtari dhe lehtësira të ofruara nga universiteti e bëjnë shumë të këndshme jetën në një qytet-kolegji. Në Athens vijnë shpesh për koncert orkestra të mirënjohura simfonike. Vitet e fundit kanë dhënë leksione edhe disa nga udhëheqësit më të shquar të botës, si ish presidenti sovjetik Mikhail Gërbaçov, veprimtari jug afrikan për të drejtat civile, Desmond Tutu.
Por Athens njihet edhe për skuadrën e futbollit amerikan. Sa herë skuadra Bulldogs zhvillon ndeshje në qytet, ankohet banorja Beverly King, bëhet një rrëmujë e padurueshme:
“Rrugët mbushen me makina. Shoferët nuk dinë si të ngasin: ecin me shpejtësi, u presin rrugën njëri-tjetrit. Tifozët bëjnë mbrëmje të zhurmshme. Ka dallim të madh ndërmjet jetës që preferojnë banorët dhe jetës që duan të bëjnë studentët”.
Kjo mospërputhje është bërë problem në një numër qytetesh të tilla, veçanërisht me shtimin e numrit të studentëve që ndjekin universitetit. Kjo ka sjellë mbushjen e konvikteve, duke detyruar disa studentë të jetojnë jashtë territorit të universitetit, në lagje banimi.
Në këto raste, shkolla nuk i ka nën kontroll studentët, të cilët shpesh bëhen problem për mbërmje të zhurmëshme dhe rrëmujë. Kryetarja e Bashkisë së qytetit Athens, Heidi Davidson shton se shumë nga pronat e qytetit janë të përjashtuara nga taksat, pasi zotërohen nga universiteti, gjë që e shton barrën mbi supet e komunitetit:
“Komuniteti duhet të përballojë shërbime komunale për banorët si furnizimin me ujë të pishëm, mbledhjen e plehrave, shtrimin e rrugëve, zjarrfikësat, policinë dhe kur shtohet numri i studentëve kemi një shtim të popullsisë që nuk paguan taksa për mirëmbajtje, por kërkon shtimin e shërbimeve”.
Shpesh herë zgjerimi i universiteteve sjell edhe rritjen e vlerës së pronave pranë këtyre universiteteve. Shumë nga banorët lëshojnë një pjesë të shtëpisë me qera për studentë, gjë që e ngarkon edhe më tepër lagjen dhe e vështirëson jetën e banorëve të tjerë.
Megjithatë, banorët thonë se për ata që ua mban xhepi të jetojnë në një qytet të tillë, është me të vërtetë një përvojë e këndshme, pasi këto qytete kolegjesh kanë ngrohtësinë e një komuniteti të vogël, të ndërthurur me larminë kulturore dhe gjallërinë e një qyteti të madh amerikan.//kk//