Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Robert Mueller, tha se agjencia e tij dhe agjencia tjetër e lartë e zbulimit amerikan, CIA, janë integruar thuajse në çdo nivel që prej sulmeve terrroiste të 11 shtatorit.
Duke dëshmuar dje para komisionit që po heton mbi sulmet e 11 shtatorit, zoti Mueller tha gjithashtu se pengesat ligjore që parandaluan bashkëpunimin e sektorëve të ndryshëm të FBI-së janë hequr.
Po dje, kreu i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, tha se do të duhen edhe pesë vjet për të ngritur atë lloj shërbimi zbulimi që u nevojitet Shteteve të Bashkuara për t’u mbrojtur nga al-Qaida dhe grupe të tjera terroriste. Zoti George Tenet i bëri komentet gjatë dëshmisë që dha dje përpara të njëjtit komision.
Më vonë, kryetari i komisionit, Thomas Kean, dhe nën-kryetari i komisionit, Lee Hamilton, shprehën shqetësime të thella rreth periudhës 5 vjeçare.
Zoti Tenet tha se komuniteti i zbulimit e kuptoi synimin e bin Ladenit për të goditur në Shtetet e Bashkuara, por nuk ishte në gjendje ta përkthente këtë në një mbrojtje efektive të vendit. Ai bëri fajtor për dështimin dobësitë e sistemit në komunitetin e zbulimit, përfshirë mungesën e mjeteve për këmbimin e informacionit.
Drejtori i CIA-s, i cili doli për herë të parë para komisionit më 24 mars, tha gjatë deshmisë së tij, se tani përpjekjet duhet të jenë të përqendruara jo tek ajo që ka ndodhur në të kaluarën, por tek krijimi i një tabloje të qartë për të ardhmen. Ai theksoi se strukturat kryesore vendim-marrëse kishin informacion të hollësishëm dhe të qartë për al-Qaidën.
Ai shtoi po ashtu se CIA ndërtoi strategji të reja për të sulmuar al-Qaidën. Pohimi i tij erdhi ndërkohë që komisioni nxorri raportin ku kritikohej CIA dhe agjencitë e tjera të zbulimit, se nuk e kishin kuptuar në kohë kërcënimin që paraqiste Osama bin Laden dhe aparati terrorist që ai mbështeste.
Komisioni thotë në raport se agjencitë amerikane të zbulimit nuk kishin ndonjë sistem për të diktuar sulme terroriste të befasishme para asaj date. Stafi i komisionit thotë se zbulimi amerikan ishte i përgatitur mirë për t’u mbrojtur nga sulme të befasishme ushtarake, por nuk i përdori këto metoda për kërcënimin terrorist.
Në raport thuhet gjithashtu se askush nuk kishte përgatitur ndonjë vlerësim të hollësishëm për rrezikun që paraqiste al-Qaida, pavarësisht nga disa raporte individuale për synimin e Osama bin Ladenit për të sulmuar objektiva amerikane.
Ndërsa e theksoi se ai nuk është personi që merr vendime politike, zoti Tenet tha para komisionit se besonte që një nga rrugët për të zgjidhur problemet që nuk arritën të ndalonin sulmet e 11 shtatorit, do të kishte qenë një bashkëpunim më i ngushtë mes drejtorit të CIA-s dhe Sekretarit të Mbrojtjes.
Zoti Tenet iu përgjigj deklaratave të anëtarëve të komisionit për një dështim institucional të zbulimit, duke thënë se sistemi nuk është i përkryer, por theksoi se ka patur përmirësime.
Një nga anëtarët e Komisionit, John Lehman tha se FBI-ja dhe CIA kishin mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj këtij dështimi dhe e karakterizoi qëndrimin e CIA-s si arrogant në këtë drejtim.
Zoti Tenet këmbënguli disa herë se agjencitë e zbulimit duhet të përqendrohen tek misionet dhe jo thjesht tek tekonologjia e komunikimit.
Në raportin e komisionit vihen para përgjegjësisë Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja që nuk e kishin terrorizmin ndër përparësitë më kryesore gjatë muajve para sulmeve të 11 shtatorit.
//ze//