15 prilli është data kur amerikanët dorëzojnë çdo vit formularët e taksave. Për shumë prej tyre plotësimi i këtyre formularëve është një humbje e konsiderueshme kohe dhe diçka e mërzitëshme. Por vitet e fundit një pjesë e madhe e kësaj ngarkese është eliminuar. Miliona amerikanë i dërgojnë formularët në mënyrë elektronike.
Pagimi i taksës mbi të ardhurat daton që nga viti 1862. Taksa federale e të ardhurave u zbatua për herë të parë nga Presidenti Abraham Lincoln për të përballuar shpenzimet e Luftës Civile. Pagimi i taksave është i sanksionuar me ligj dhe përgjegjësinë për pagimin e tyre e kanë vetë taksapaguesit. Formularët janë sa të thjeshtë aq edhe të përpiktë dhe ato mund t’i plotësojnë llogaritarët.
Për vite me radhë, amerikanët nuk kanë patur alternativa të shumta, kur ishte fjala për dorëzimin e taksave. Ata ose duhet t’i llogarisnin dhe t’i dërgonin vetë ato, ose duhet të paguanin dikë tjetër që t’ua llogariste. Pavarësisht se kush i plotësonte formularët, ato kërkonin shumë kohë. Por situata ndryshoi dukshëm kur filloi dërgimi elektronik i formularëve në vitin 1997. Carlos Perozo punon për kompaninë më të madhe të përgatitjes së taksave në Amerikë.
"Kjo mënyrë e plotësimit të formularëve e pakësoi të tepërmi kohën mesatare që i duhej dikujt për t’i plotësuar ato me shkrim dore, që zakonisht shkon nga 10 në 12 orë. Tani në qoftë se i bën ato në internet dhe shfrytëzon të gjitha udhëzimt që jepen aty, koha mesatare është rreth 2 orë," -thotë zoti Perozo.
Në vitin 2003, 53 milionë amerikanë i dërguan formularët e taksave elektronikisht. Terry Lutes i Shërbimit Federal amerikan të Taksave thotë se këtë vit një numër edhe më i madh njerëzish janë duke e përdorur këtë teknologji.
"Ne parashikojmë që këtë vit rreth 60 milionë amerikanë t’i dërgojnë formularët e taksave elektronikisht. Në fakt deri javën e kaluar 60 përqind e atyre që i kishin përfunduar taksat i kishin dërguar ato elektronikisht",- thotë zinja Lutes.
Në faqen e internetit të Shërbimit Federal të Taksave njerëzit mund t’i plotësojnë formularët pa pagesë. Veç kësaj faqeje ka edhe faqe të tjera që mund të përdoren nga amerikanët për të dërguar formularët e taksave elektronikisht, duke paguar rreth 20 dollarë. Zoti Lutes thotë se kjo formë e dërgimit të formularëve u shërben më së miri atyre që kanë paguar më shumë taksa për të ardhurat dhe që në fund të vitit rimbursohen.
"Fakti është se ata që kanë për të marrë para paguhen më shpejt. Plotësimi i formularëve elektronikisht është më i saktë, dhe në fakt njerëzit që e kanë bërë praktikë të blejnë, të bëjnë veprime bankare apo të investojnë në bursë nëpërmjet internetit, mendojnë në mënyrë të natyrshme që t’i plotësojnë e dërgojnë edhe formularët e taksave nëpërmjet internetit," - thotë zoti Lutes.
Kjo nuk do të thotë se dërgimi i formularëve elektronikisht është plotësisht i sigurt. Por Carlos Perozo thotë se siguria është mjaft e lartë.
"Kjo është po aq e sigurt sa edhe transaksionet e tjera që bëhen nëpërmjet internetit. Ekziston e njejta shkallë sigurie. Ne kemi marrë mjaft masa paraprake,"- thotë ai.
Ndërkohë që amerikanëve po u forcohet gjithnjë e më shumë besimi për të bërë transaksione në internet, Shërbimi Federal i Taksave parshikon që dërgimi i formularëve me mënyra elektronike të vazhdojë të shtohet.// lk //