Lidhje

Banka e Kursimeve e Shqipërisë privatizohet nga Reiffaisen Bank e Austrisë - 2004-04-15


Drejtuesit e Bankës austriake Reiffaisen Bank, të cilët tashmë janë edhe zyrtarisht pronarët e Bankës së Kursimeve në Shqipëri premtuan sot se do të ofrojnë një sërë produktesh të reja me interes për ekonominë dhe kompanitë shqiptare. Banka e kursimeve mbylli sot procedurat e kalimit të pronësisë dhe rimori të drejtën për aktivitetin e kredisë.

Pasi në dhjetor të vitit të kaluar bleu për një vlerë prej 126 milion dollarësh Bankën e Kursimve të Shqipërisë, austriakët e Reiffaisen Bank, sot u bënë zyrtarisht pronarë të saj. Ata shpalosën një sërë objektivash tepër ambicioz, duke iu përputhur kështu shpresave dhe optimizmit të shfaqur nga autoritetet e këtushme për hyrjen e tyre në tregun shqiptar.

Zëvendëskryetari i bordit drejtues të Reiffaisen Zentralbank, Herbert Stepic prezantoi synimet e qarta të zhvillimit të Bankës së Kursimeve, me anë të një politike agresive që do të sjellë në tregun bankar shqiptar një seri produktesh të reja.

Stepic deklaroi se Shqipëria është një vend ku ekonomia gri është mjaft e madhe dhe sipas atij arsyeja qëndron në mungesën e një institucioni bankar të besueshëm e të fuqishëm. Banka e Kursimeve, tha, ai do të përpiqet që paratë që njerëzit mund t'i mbajnë ende në dyshek, t'i fusin në bankë.

Zoti Stepic foli edhe për një aktivitet të fortë të kredidhnies. Që prej vitit 2001, Bankës së Kursimeve i ishte hequr kjo mundësi në mënyrë që të mos rrezikonte deri në privatizimin e saj. Por Stepic deklaroi se një nga objektivat kryesor do të jetë krijimi i një tregu të kredisë: "Detyra jonë e parë do të jetë krijimi i një tregu kredie për kompanitë të vogla e të mëdha. Në këtë mënyrë do të përshpejtojmë rritjen e ekonomisë sepse kështu paraja do të fillojë të qarkullojë në botën reale të ekonomisë.

Si hap i dytë do të jetë financimi afatmesëm dhe afatgjatë. Do të marrim pjesë në financimin e infrastrukturës me institucionet ndërkombëtare dhe do të jemi të angazhuar në financimet afatshkurtra tregtare", shpjegoi zoti Mesic, i cili shtoi se do të ketë kredi edhe për individët apo për blerjen e shtëpive.

Reiffaisen Bank ka një rrjet të shtrirë në shumë vende të Europës dhe një eksperiencë prej më shumë se 70 vjetësh në sistemin bankar. Prania dhe aktiviteti i saj shihet dhe si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe investitorë të tjerë të huaj në Shqipëri.// lk //

XS
SM
MD
LG