Lidhje

John Negroponte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Irak - 2004-04-19


Presidenti Bush emëroi ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, John Negroponte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Irak.

Presidenti Bush tha se është i sigurt se zoti Negroponte do të bëjë një punë shumë të mirë në këtë detyrë të vështirë. Ambasadori i ri është parashikuar të fillojë detyrën pas 30 qershorit kur irakianëve tu kthehet sovraniteti. Emërmtimi i ambasadorit Negroponte duhet të miratohet nga Senati.

Zyrtarët amerikanë thonë se kanë arritur një marrëveshje me udhëheqësit vendas në Falluxha për të zbutur tensionet e shkaktuara nga dy javë përleshje intensive.

Zëdhënësi i administratës civile amerikane në Irak, Dan Senor tha sot në Bagdad se në marrëveshje parashikohet që t’u bëhet thirrje të gjithë njerëzve në Falluxha që t’i dorëzojnë vullnetarisht armët e tyre dhe të shmangin kështu ndjekjen ligjore. Në marrëveshje bëhet gjithashtu thirrje për organizimin e shpejtë të patrullave të përbashkëta të koalicionit dhe forcave irakiane në qytet.

Marinsat amerikanë e kanë mbajtur Falluxhën të izoluar për dy javë ndërsa janë përfshirë në disa nga luftimet më të ashpra gjatë një viti në Irak, me qëllim që të rivendosin rendin në qytet ku katër kontraktorë amerikanë u sulmuan muajin e kaluar.

Tani, gjenerali Mark Kimmitt thotë se është arritur një marrëvehsje me udhëheqësit e komunitetit në Falluxha ku marinsat do të respektojnë armëpushimin nëse luftëtarët dorëzojnë armët e rënda. "Po përpiqemi të përdorin negociata të paqshme për të zgjidhur konfliktin në Falluxha dhe nga marrëveshja e arritur sot duket se ka një zgjidhje politike", tha gjenerali.

Në Washington presidenti Bush shprehu keqardhje për vendimin e kryeministrit të ri të Spanjës për të tërhequr 1 mijë e 300 trupat e tij nga Iraku. Ai i bëri komentet e tij një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan në Bagdat, Paul Bremer tha se ka nevojë për forca të tjera për të mbajtur rendin në vend edhe pas transferimit të pushtetit më 30 qershor.

Ndërkohë, forcat e koalicionit vazhdojnë të jenë të pozicionuara në rrethinat e qytetit të shenjtë Naxhaf. Brenda qytetit, milicia e klerikut radikal Moqtada al-Sadr thotë se po respekton një armëpushim dyditor duke filluar sot, në mënyrë që myslimanët të mund të përkujtojnë përvjetorin e vdekjes së Profetit Muhamed.

//rd//

XS
SM
MD
LG