Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë thonë se 26 të burgosur në Mitrovicë janë në grevë urie në shenjë proteste ndaj vonesave në procesin e apelit të dy të burgosurve të shpallur fajtorë nën akuzat për krime lufte.
Një zëdhënës i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se të burgosurit e filluan grevën e urisë të martën në mbrëmje.
Me sa duket ata janë zemëruar nga koha e gjatë që ka kaluar para se Gjykata e Lartë e Kosovës të fillojë procesin e apelit për të dënuarit Miroslav Vukoviç dhe Veselin Besoviç.
Vukoviç u dënua në vitin 2002 me 12 vjet burgim për krime lufte. Procesi i apelimit të dënimit të tij është planifikuar për në muajin maj. Besoviç u dënua me shtatë vjet burgim qershorin e kaluar. Gjykata ende nuk ka caktuar datën e apelimit të dënimit të tij.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara tha se sistemi gjyqësor i Kosovës është i mbingarkuar dhe shtoi se çështje të tilla të ndërlikuara duhet të shqyrtohen me kujdes.
//ze//