Lidhje

Gratë dhe ndikimi i tyre në politikë - 2004-04-26


Gratë e Evropës Lindore dhe Qendrore po angazhohen përherë e më tepër në politikë, duke patur një ndikim në zgjidhjen e probleme të ndryshme të këtyre vendeve, si dhe duke vënë theksin në çështjet që kanë të bëjnë direkt me të drejtat e tyre në shoqëri.

Diskutantet në konferencë, kryesisht personalitete nga fusha e politikës, eksperte akademike dhe intelektuale nga vende të Evropës Lindore dhe Qendrore, folën për rolin e grave në procesin e ndërtimit të sistemeve demokratike të vendeve të tyre, duke sjellë eksperiencën e tyre personale. Ato u përqëndruan sidomos në çështjen, sa ndjehet zëri i grave politikane, i parlamentareve, në zgjidhjen e problemeve të vendeve të tyre, dhe si i trajtojnë ato konfliktet dhe kompromiset e nevojshme gjatë këtij procesi?

Pjesëmarrëset në takim nga Sllovenia, Polonia, Gjermania Lindore, Rusia, Republika Çeke, sollën karakteristika specifike të shkallës së pjesëmarrjes së grave në politikën e vendeve të tyre. Përfaqësueset e Sllovenisë, Polonisë, Gjermanisë Lindore thanë se roli i grave në politikë në vendet e tyre është rritur. Kjo, sipas tyre, u dedikohet reformave që kanë ndërmarrë qeveritë e këtyre vendeve, siç është për shembull miratimi i ligjit të kuotës, sipas të cilit partitë e ndryshme politike, duhet të plotësojnë përqindjen e nevojshme në përbërjen e radhëve të tyre me gra. Ndër reformat e tjera të ndërmarra nga qeveritë e këtyre vendeve është edhe ajo në fushën e ndihmës sociale, leja mjekësore, si për burrat edhe për gratë në raport me fëmijët, paga minimale për çerdhet dhe kopshtet, duke u krijuar kështu lehtësira grave për t’u angazhuar më tepër në politikë. Por pjesëmarrja e grave në politikë, u tha në konferencë, është sidomos rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të organizatave të grave dhe vetë grave të zgjedhura politikane, apo parlamentare, që kanë ushtruar vazhdimisht trysni në Parlamentet e vendeve të tyre për t’u dhënë më tepër të drejta grave.

Një nga arsyet e tjera të arritjeve në pjesëmarrjen e grave në politikën e këtyre vendeve, ka qenë edhe fakti se ky ka qenë një nga kushtet për t’u pranuar në Bashkimin Evropian më 1 maj, pikërisht caktimi i kuotës 40 për qind për zgjedhjen e grave në partitë politike. Për sukeset e arritura në saje të kërkesave për pranimin në Bashkimin Evropian në Slloveni, foli Majda Sirca, deputete e Parlamentit të Sllovenisë, anëtare e Partisë Demokracia Liberale: "Amendamentet e Kushtetutës, miratimi i Ligjit për Mundësi të Barabarta midis grave dhe burrave, diskutimet publike lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë, këto janë arritje të mëdha për Slloveninë. Them se ato përbëjnë suksese, për arsye se këto aspekte janë lidhur kudoherë me rrymat e feminizmit në kuptimin nëvleftësues të fjalës dhe për arsyen se publiku e kishte kuptuar që Sllovenia nuk mund të drejtohej më vetëm nga burra", tha zonja Sirca.

Deputetja Sirca theksoi se këto arritje nuk do të ishin bërë të mundura pa mbështetjen e shoqërisë civile. Por në konferencë u tha se jo të njëjtat arritje ka shënuar në këtë fushë Rusia. Studjuesja Tatjana Zaharshenko tha se në Rusi vihet re një rënie e pjesëmarrjes së grave në politikë, si dhe një pakësim i bashkëpunimit midis organizatave të ndryshme të grave. Gratë në Rusi përbëjnë vetëm 9 për qind të votuesve. Zonja Zaharshenko, tha se një nga arsyet e apatisë politike të grave në Rusi është zhgënjimi i tyre gjatë procesit të gjatë dhe me shumë probleme të tranzicionit.

Në konferencë ishte e ftuar edhe Julia Ernst, ndihmësja e ligjvënëses demokrate Louise Slaughter, një nga kryetaret e Grupit për Problemet e Grave në Kongres.

Ajo foli për mekanizmat për ngritjen e problemeve të grave në Kongres. Cilat janë disa prej tyre?

"Një nga problemet e ngritura nga Grupi për Problemet e Grave në Kongres, është abuzimi seksual në radhët e ushtrisë amerikane. Ne i shkuajtëm një letër Sekretarit të Mbrojtes Rumsfeld, ku i kërkuam të marrin masa për këtë çështje. Aktualisht, është ngritur një komision, që po kryen një studim për këtë çështje", tha zonja Ernst.

Zonja Ernst tha se probleme të tjera të grave që ka ngritur në Kongres Grupi për Probelemet e Grave janë dhuna në familje dhe arsimimi i grave. Ajo tha se një rol të rëndësishëm për ngritjen e problemeve të grave luajnë organizata të tilla, si ”Projekti për Shtëpinë e Bardhë”, që zhvillon fushata për zgjedhjen e grave në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Projekti për Pjesëmarrjene e Grave në Votime, Projekti për Gratë Donatore, etj.

Zonja Ernst u bashkua me mendimin e pjesëmarrëseve të tjera në Konferencë, se pjesëmarrja e grave në fushën politike mund të arrihet, duke filluar që në familje, me krijimin e lehtësirave për gratë, ndarjen e përgjegjësive me bashkëshortin dhe më gjërë, nëpërmjet përmirësimit të kushteve ekonomike, reformave në fushën sociale, si dhe ndërgjegjësimin e vetë grave lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në procesin e vendimmarrjes.

//rd//

XS
SM
MD
LG