Lidhje

ODIHR-i i vlerëson zgjedhjet të rregullta në Maqedoni - 2004-04-29


Misioni vëzhgues i zyrës për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut ODIHR sot vlerësoi se procesi zgjedhor gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale ka qenë i rregulltë, përveç disa incidenteve në pjesën perendimore dhe qendrore te vendit.

Shefi i këtij misioni Fridrih Bauer tha se këto zgjedhje në përgjithësi përputhen me angazhimet e OSBE-së dhe standartet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Zoti Bauer theksoi se në 92 përqind të vendvotimeve procesi zgjedhor ka qenë i rregullt, ndërkaq në 8 përqind të vendvotimeve janë shënuar parregullsi dhe manipulime me votat e qytetarëve.Sipas tij, vëzhguesit e OSBE-së në disa vendvotime kanë hasur edhe persona të armatosur, të cilët kishin përqëllim frikësimin e qytetarëve për të votuar.

ODIHR ka vlerësuar si pozitive fushatën parazgjedhore të partive politike dhe punën e mediave gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve. Zgjedhjet e djeshme presidenciale janë vëzhguar nga 300 përfaqësues të OSBE-së. Shefi i misionit të ODIHR-it, Fridrih Bauer kërkoi që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të shqyrtoj të gjitha ankesat e partive politike lidhur me parregullsitë gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve.

Ndërkohë, sipas rezultateve të para jozyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në zgjedhjet e djeshme kanë votuar mbi 900 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 53 përqind. Në bazë të kësaj përqindjeje të votuesve zgjedhjet vlersohen si te suksesshme.

Kandidati socialdemokrat Branko Cërvenkovski ka marrë mbi 62 pëqind të votave të vlefshme, kurse kandidati i opozitës Sashko Kedev ka marrë mbi 37 përqind të votave. KSHZ do të shqyrtoj të gjitha ankesat e partive politike lidhur me parregullsitë e mundshme. Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE nuk pranon rezultatet e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si të falsifikuara.

Ndërkohë, kandidati presidencial i sociademokratëve Branko Cërvenkovski ka shpallur fitoren e tij në këto zgjedhje, duke i vlerësuar ato si të lira dhe demokratike.

//rd//

XS
SM
MD
LG