Lidhje

Në Beograd filloi konferenca kushtuar lirisë së mediave - 2004-05-02


Manifestimi qendror i Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, 3 Maji, filloi të dielën në Beograd me konferencën ndërkombëtare kushtuar mbështetjes së mediave në vendet e paskonflikteve dhe të atyre në tranzicion. Konferenca organizohet nga UNESKOja dhe Komisioni Kombëtar i Serbisë e Malit të Zi për bashkëpunimin me këtë organizatë të Kombëve të Bashkuara.

Përfaqësuesit e UNESKOs dhe pjesëmarrësit e tjerë të huaj në tubim theksuan në diskutimet e tyre rëndësinë e lirisë së mediave si në kushtet e luftës e të formave të tjera të dhunës, ashtu edhe në situatat pas konflikteve në vendet ku procesi i demokratizimit është në vazhdim e sipër.

Duke hapur konferencën, ministri i Jashtëm i Unionit serbomalazez, Vuk Drashkoviç rikujtoi vrasjet dhe denimet e shumta të gazetarëve kudo në botë botës dhe uroi gazetarin e burgosur të Kubës, Raul Rivero Kastanedi çmimin e UNESKOs – Gilermo Kano.

Z. Drashkoviç propozoi që çmimi Guillermo Kano që mban emrin e gazetarit kolumbian të vrarë nga narkomafia, më 1987, në të ardhmen të jepet edhe pas vdekjes dhe laureatë të tij të jenë gazetarët e vrarë nga Beogradi e Jagodina, Sllavko Çuruvia e Milan Pantiç. Ai ka kërkuar që kjo konferencë të ushtrojë tyrsni mbi Qeverinë e Serbisë për të sqaruar ndriquar vrasjen e këtyre dy gazetarëve serbë.

Z. Drashkoviç tha se gazetaria profesionale dhe e pavarur është ajo e cila varet vetëm nga etika gazetareske, guximi dhe lufta për të vërtetën.

Ndihmësdrejtori i përgjithshem i UNESKos, Avdyl Vahid Kan rikujtoi se që nga fillimi i viteve 90, kjo organizatë po thekson rëndësinë e lirisë së mediave, duke vënë në pah se edhe gjatë luftërave në hapsirën e ish Jugosllavisë i ka ndihmuar mediat e pavarura. Ai shprehu kënaqësinë që ato ndërkohë janë bërë të qendrueshme.

Kryetarja e organizatës për Demokratizimin dhe të drejtat e njeriut të Paktit të Stabilitetit për Evriopën Juglindore, Elisabeth Rehn preku në veçanti rolin e mediave në procesin e ndërtimit të paqes dhe të pajtimit pas konflikteve të dhunshme, sidomos në shoqëritë shumetnike. Ajo vlerësoi lart rolin e mediave në Ruandë të cilat pas gjenocidit në atë vend kanë ndriçuar shumë vrasje me motive etnike. Kurse raportimin e mediave në Kosovë mbi dhunën e marsit ai e përmendi si shembull i cili nuk ndihmon kurrsesi në pakësimin e tensioneve.

Duke rikujtuar mbi 40 gazetarë të vrarë gjatë vitit të kaluar dhe mbi 700 të brugosur në botë, ajo theksoi se në disa vende shpifja është vepër penale dhe u sugjeroi politikanëve që të kuptojnë se tekstet kritike duhet të tolerohen sepse janë pjesë e punës së tyre.

Për rolin e veçantë të mediave në zhvillimin e stabilitetit dhe të demokratizimti të shoqërive, foli drejtori ekzekutiv i organizatës "Article 19", Andrew Puddephatt, i cili tha se mediat pas luftës mund të sigurojnë transparencë të procesit të paqes e të besimit të popullit për qendrueshmërinë e paqes. Duke theksuar rëndësinë e veçantë të mediave elektronike si më me ndikim në opinionin publik, ai theksoi se për këtë është e rëndësishme edhe suaza ligjore për punën e mediave e sidomos ekzistenca e një enti të pavarur rregullues, i cili të mund të pasqyrojë natyrën pluraliste të shoqërisë.

Në diskutim morën pjesë edhe shumë redaktorë e gazetarë të mediave nga shumë vende të botës. Nesër pritet të miratohet deklarata e Konferencës dhe të bëhet dorëzimi solemn i çmimit të UNESKOs, Guillermo Kano. Në kuadër të këtij tubimi në Qendrën "Sava" të Beogradit u hap ekspozita e fotografive që fituan çmim në konkursin "Fotografitë e shtypit botëror" për vitin 2003, në të cilin morën pjesë 4.176 fotoreporterë nga 124 vende, me 63.093 punime.

XS
SM
MD
LG