Lidhje

SHBA: projekt-ligj i demokratëve për të reformuar sistemin amerikan të imigracionit - 2004-05-05


Demokratët në Kongres bënë të njohur një projekt-ligj për të reformuar sistemin amerikan të imigracionit, duke krijuar mundësi që punëtorët pa dokumenta të bëhen banorë të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton nga Washingtoni se ky plan paraqitet menjëherë pas një propozimi të presidentit Bush, sipas së cilit do të krijohej një program masiv punësimi për imigrantët në Shtetet e Bashkuara:

Plani demokrat parashikon legalizimin e statusit të punëtorëve pa dokumenta që kanë qenë në Shtetet e Bashkuara për pesë ose më shumë vjet, dhe që kanë qenë të punësuar për të paktën dy nga këto vite. Ata që kërkojnë status duhet t’i nënshtrohen një kontrolli për vepra penale dhe një kontrolli mjekësor, si edhe të provojnë se kanë njohuri bazë për anglishten.

Hartuesi kryesor i projektit për Senatin është Edward Kennedy nga Massachusetts, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve një nga përkrahësit është Luis Gutierrez i Ilinoit, që foli dje me gazetarët:

“Projekti ynë parashikon që nëse ke qenë në Shtetet e Bashkuara për pesë ose më shumë vjet, duke punuar dhe kontribuar me sjellje të mirë, duhet të bëhesh një pjesëtar me të drejta të plota në shoqërinë amerikane. Po ashtu aty thuhet se nuk mund ta shpërfillim më tej çështjen e miliona banorëve pa dokumenta në vendin tonë”.

Propozimi demokrat synon gjithashtu përshpejtimin e bashkimeve familjare mes banorëve të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara dhe familjarëve të tyre. Po ashtu sipas projekt-ligjit do të jepeshin gjithsej 350 mijë viza të përkohshme pune për punë të thjeshta, me rrogë të ulët. Projekti mbështetet nga fedarata amerikane e punës dhe një numër organizatash për mbrojtjen e të drejtave të imigrantëve.

Ligjvënësi Gutierrez thotë se Amerikës i duhet një fuqi punëtore e besueshme, gjithnjë në rritje dhe se imigrantët, edhe ata pa dokumenta meritojnë një shans për ëndrrën amerikane.

Në fillim të këtij viti, Presidenti Bush propozoi ngritjen e një programi të përkohshëm punësimi me dokumenta për milliona punëtorë. Por në këtë plan nuk garantohet qëndrim i përhershëm në Shtetet e Bashkuara, gjë që sipas demokratëve përbën një defekt.

Megjithatë Republikanët dhe Demokratët duket se janë të një mendjeje për një çështje themelore: që Shtetet e Bashkuara nuk mund thjesht t’i injorojnë miliona imigrantët e paligjshëm që kanë ndërtuar një jetë në këtë vend dhe që bëhen një pjesë e fuqisë punëtore në vend.

Por jo të gjithë janë të kënaqur me asnjërin nga planet, por veçanërisht janë të pakënaqur me variantin e demokratëve.

“Në thelb është një plan për kufij të hapur”.

John Wahala është bashkëpunëtor në Qendrën për Studime të Imigraconit, që është në favor të masave më të rrepta të imigracionit. Ai vë në dukje se në të kaluarën, kur janë dhënë amnisti për imigrantë të paligjshëm, një gjë e tillë ka shkaktuar një valë të re imigrantësh të paligjshëm që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për të përfituar nga programi, duke keqësuar në fakt problemin që synonte të zgjidhte amnistia.

Por zoti Gutierrez shton se plani demokrat do të shmangte kufizimet e përcaktuara nga qeveria federale vend për vend, për ata që kanë pritur pesë ose më shumë vjet për të ardhur në Shtetet e Bashkuara përmes rrugëve të ligjshme.

Zoti Gutierrez e pranon se meqenëse demokratët përbëjnë pakicën në Kongres, miratimi i projektligjit do të jetë një betejë e vështirë. Megjithatë ai shprehu shpresën se disa republikanë mund të binden të votojnë pro tij. Nëse miratohet nga Kongresi, projektligji duhet të nënshkruhet edhe nga Presidenti për t’u kthyer në ligj.//ii

XS
SM
MD
LG