Lidhje

Kryeministri Nano sulmon opozitën, deputetët socialistë dhe kundërshtarët e tij - 2004-05-10


Kryeministri Fatos Nano mbajti sot një fjalim të ashpër ku sulmoi opozitën, deputetët socialist dhe kundërshtarët e tij brenda partisë. Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm drejtues të partisë së tij, kryeministri kritikoi dhe gjendjen në administratën shtetërore e cila sipas tij nuk po zbaton ligjet dhe reformat e ndërmarra. Kreu i qeverisë akuzoi dhe sistemin e drejtësisë që sic tha zoti Nano po bën të mbeten të rrezikuara vullneti politik dhe realizimi i programeve qeverisëse

Fjala e sotme e kryeministrit Fatos Nano erdhi në një moment kur ndaj tij dhe qeverisë që ai drejton janë lëshuar kritika të shumta. Nga njëra anë janë raportet dhe deklarimet e organizmave ndërkombëtare si Bashkimi Europian, apo Këshilli i Europës, lënia e Shqipërisë jashtë fondeve të programit të Mijëvjecarit të Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër është opozita që i ka ashpërsuar gjithnjë e më tepër sulmet e saj por edhe kundërshtarët e zotit Nano brenda partisë që duket se kanë nisur të riorganizohen.

Në këtë situatë i gjendur në shenjestër, kryeministri shfrytëzoi mbledhjen e sotme të Komitetit të përgjithshëm drejtues të partisë së tij për t’iu kundërpërgjigjur akuzave por edhe për të kërkuar një angazhim të strukturave socialiste dhe të qeverisë.

Kryeministri Nano kritikoi administratën shtetërore për moszbatimin e ligjeve: “Praktikisht Shqipëria ka sot një ligj tërësisht sipas standarteve evropiane për prokurimet e fondeve publike, por problemi i korrupsionit në këtë fushë vazhdon të mbetet shqetësues për shkak të moszbatimit ose zbatimit të keq të tij. Zotërinj ministra dhe deputetë, gjeni dhe ndëshkoni administrativisht apo ligjërisht të gjithë ata që abuzojnë me detyrën dhe nuk zbatojnë ligjet që ne miratojmë. Ligjet nuk hartohen për inventar. Vetëm zbatimi i tyre garanton standartet e kërkuara për integrim evropian. Nëse këtë përgjegjësi nuk e realizoni dot, jam i gatshëm të pres me respekt dorëh eqjen e gjithsecilit, pavarësisht kostove politike”

Kryeministri njoftoi se duke nisur që nga ky vit do të ketë shkurtime të shpenzimeve buxhetore dhe fondet do të kalojnë për investime publike. Nuk mund të lejohet tha ai që nëpunësit të kenë zyra dhe makina më luksoze se kolegët e tyre europian ndërsa rezultatet janë ato që dihen tha ai. Zoti Nano deklaroi se do të ketë një rishikim të të gjithë emërimeve në administratë.

Kreu i qeverisë sulmoi edhe një herë sistemin e drejtësisë. Ai u shpreh se koha po vërteton se vullneti politik dhe realizimi i programeve qeverisëse do mbeten të rrezikuara sa kohë ky sistem nuk funksionon si duhet: “Ne i dhamë sistemit të drejtësisë pavarësinë reale, por nuk mund të lejojmë që ky pushtet të përdoret për të abuzuar në kurriz të së drejtës ligjore. Pa një funksionim normal të sistemit të drejtësisë (polici gjyqësore apo ekzekutive, prokurori dhe gjykata), të gjitha përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin apo fenomene të tjera të paligjëshme do të mbeten në boshllëk”.

Kryeministri kërkoi që edhe strukturat e partisë së tij të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre: “Në rradhë të parë ju drejtohem juve të nderuar anëtarë të KPD-së për të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë dhe kostot që mandati i përfaqësimit ju kërkon. Të njëjtin vlerësim do të bëja dhe për grupin tonë parlamentar, i cili nuk po arrin të mbështesë siç duhet reformat integruese dhe qeverisëse, në plotësimin në kohë të angazhimeve dhe të përballojë çmendurinë politike të Berishës”.

Kryeministri i ftoi deputetët socialistë që të kenë sic tha ai tolerancë zero ndaj opozitës kur bëhet fjalë për miratime ligjesh dhe zbatim të refoirmave jetike për integrimin europian.

Mjaft i ashpër zoti Nano ishte dhe me kundërshtarët e tij brenda partisë që përfaqësohen nga ish kryeministri Ilir Meta. Ky grupim është rishfaqur kohët e fundit më agresiv. Vetë zoti Meta dhe një tjetër deputet socialist ishin ndër kritikët më të fortë të qeverisë në seancën debat lidhur me integrimin europian të vendit: “Ka edhe nga ata pseudosocialistë që bashkojnë zërin dhe votën me Berishën deri duke kërcënuar se do shpërthejnë si kamikaze brenda shtëpisë sonë. Unë dhe qindra socialistë nuk kemi bërë burgun e Berishës që këta të terrorizojnë shpresat evropiane të socialistëve dhe shqiptarëve të ndershëm, thjesht dhe vetëm se u qënka mbushur mendja se kanë “rënë nga qielli” për të jetuar vetëm në fronet e pushtetit. Unë dhe mijëra socialistë e progresistë që e kemi afruar Shqipërinë me botën moderne, nuk mund të lejojmë nipat e “Dum Babës” të përdhunojnë lirinë dhe standartet demokratike duke abuzuar me mandatin që kanë marrë në emrin tone. Cdo ditë po bëhet e qartë se “pushti” dhe “puçisti” politik shkaktojnë të njëjtin dëm. Juve nuk u lejohet të heshtni. Ashtu siç nuk ju lejohet të flirtoni në dëm të maxhorancës qeverisëse”.

Zoti Nano u ankua dhe për gjendjen në partinë e tij e cila është në prag të zgjedhjeve për forumet vendore. Ai deklaroi se nëse konferencat në rrethe nuk do të sillnin një përmirësim të cilësisë së forumeve ai do të kërkonte një kongres të jashtëzakonshëm zgjedhor në fund të këtij viti për të përgatitur partinë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG