Lidhje

Bremer: sovraniteti të kalojë në duart e irakianëve më 30 qershor - 2004-05-19


Kryeadministratori civil amerikan për Irakun, Paul Bremer, tha se kalimi i sovranitetit në duart e irakianëve do të bëhet më 30 qershor siç është planifikuar, pavarësisht nga përpjekjet e terroristëve për ta bllokuar procesin.

Ambasadori Bremer e bëri këtë koment të martën, pas shërbimeve përkujtimore në Bagdad për presidentin e Këshillit Qeverisës irakian, i cili u vra të hënën në një sulm vetëvrasës.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se spekulimet e para se sulmi ishte organizuar nga terroristi Abu Musab al-Zarkavi, i cili ka lidhje me al-Kaidën, mund të jenë të nxituara. Ata thonë se të dhëna të gjetura tek vendi i ngjarjes lënë të kuptohet se sulmi mund të jetë kryer nga një grup tjetër.

Në Uashington, Nënsekretari i Mbrojtjes, Paul Uolfouitz, u tha anëtarëve të Kongresit amerikan se nuk është e mundur të parashikohet sesa kohë do t’i duhet një force të madhe ushtarake amerikane të qendrojë në Irak pas kalimit të pushtetit më 30 qershor.

Ndërkohë, një delegacion irakian shkon të merkurën në selinë e Kombeve të Bashkuara për të kërkuar që qeveria e re irakiane të ketë kontroll të plotë mbi rezervat e naftës. Ai do të kërkojë edhe pakësimin e ndjeshëm të borxhit dhe të dëmshpërblimeve që rrjedhin nga lufta.

Në një zhvillim tjetër, një nga udhëheqësit më me ndikim shiit të Irakut, Ajatollah i Madh Ali al-Sistani, u bëri thirrje trupave amerikane dhe luftëtarëve besnikë të klerikut radikal shiit, Moktada al-Sadër, të tërhiqen nga qyteti Naxhaf.

XS
SM
MD
LG