Lidhje

Antiamerikanizmi dhe diplomacia publike - 2004-05-20


Ndërkohë që anti-amerikanizmi në botë rritet, amerikanët po mundohen ta luftojnë atë. Një nga zgjidhjet e propozuara është e ashtuquajtura diplomacia publike, komunikimi në mënyra të ndryshme me njerëzit në botë për t’i bërë ata që ta kuptojnë më mirë Amerikën, si dhe për ti bërë ata më pak armiqësor. Duke pranuar se politika amerikane është faktori kryesor i kësaj gjendjeje, përkrahësit e diplomacisë publike thonë se ajo është një faktor vendimtar.

Komunikimi është i dyanshëm, tha Philip Reeker, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në një konferencë të organizuar në Uashington nga Fakulteti i Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit Princeton. Dialogu është i rëndësishëm, thotë ai. Ne duhet të dëgjojmë, diskutojmë dhe të zgjasim dorën. Nëse ne tregojmë vëmendje ndaj të tjerëve, të tjerët do të tregojnë vëmendje ndaj nesh. “Praktikimi i një diplomacie të sukseshme publike amerikane nuk kërkon marrëveshje me çdo politikë të jashtme të zbatuar nga një administratë apo një tjetër. Është shumë e rëndësishme që t’i shpjegojmë botës se debati, shpesh i egër dhe pasionant, është një pjesë kritike dhe e domosdoshme e sistemit amerikan.”

Misioni i diplomacisë publike është të thuhet e vërteta, thotë Ken Tomlinson, kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Byrosë Ndërkombëtare të Transmetimeve, pjesë e të cilit është edhe Zëri i Amerikës. Kjo përfshin edhe publikimin e keqtrajtimit të të burgosurve në Irak dhe përpjekjet për t’u ballafaquar me këtë problem. “Shpresoj që njerëzit në botën arabe dhe njerëzit në mbarë botën ta shohin se si i zgjidhim ne problemet në demokraci, sepse nuk ka prova të një mbulimi të ngjarrjeve. Pikërisht kjo ndodh në demokraci, sepse njerzir në Shtetet e Bashkuarakërkojnë përgjigje për atë që ndodhi po aq me ngulm sa edhe populli në Irak.”

Dëshmitë në Kongres rreth keqtrajtimit të të burgosurve është një shembull i mirë i diplomacisë publike, thotë Ted Kattouf, president i organizatës Amideast, organizatë që sjell studentë nga Lindja e Mesme për studime në Shtetet e Bashkuara. “Njerëzit shikuan disa prej zyrtarëve më me ndikim të këtij vendi duke u marrë në pyetje në hollësi, jo vetëm nga senatorët, anëtarë të komisioneve, por nga të gjithë shikuesit amerikanë. Njerëzit dëgjuan thirrje për dorëheqje, përgjegjësi dhe për të kërkuar falje. Nuk mund të mendoj për ndonjë zhvillim tjetër me më shumë ndikim tek audienca arabe se sa ndjekja drejtëpërdrejtë e atyre dëshmive.”

Zoti Kattouf vë në dukje se rrjeti televiziv al-Xhazira, që shpesh është kritikuar ashpër nga qeveria e Shteteve të Bashkuara i transmetoi këto dëshmi dhe në fakt ndihmoi diplomacinë publike amerikane.

Por edhe vënia e theksit të tepruar në reagimin amerikan nuk është pozitive për diplomacinë publike, thotë ambasadori Robert Hutchings, president i Këshillit Amerikan të Zbulimit Kombëtar. Amerikanët duhet të kenë parasysh ndjenjat e viktimave irakiane dhe familjeve të tyre. Ndoshta qeveria amerikane duhet të dërgojë delegacione në sa më shumë kryeqytete të vendeve muslimane për të shprehur keqardhje dhe për të diskutuar mënyra më të mira të trajtimit të të burgosurve.

Por diplomacia publike nuk është vetëm punë e qeverisë, thotë Keith Reinhard, president i kompanisë DDB, një ndër kompanitë më të mëdha të reklamave në botë me 206 zyra në 96 vende. I alarmuar nga antiamerikanizmi në rritje, ai dhe udhëheqës të tjerë të lartë të biznesit, kanë themeluar organizatën Biznesi për Veprim Diplomatik, organizatë që u kundërvihet akuzave se kompanitë amerikane janë arrogante dhe shfrytëzuese. “Detyra për ndryshimin e prirjeve të këtij antiamerikanizmi nuk mund të përballohet vetëm nga qeveria. Bizneset amerikane duhet të mobilizojnë burimet e tyre në diplomacinë publike. Ato mund të mobilizohen pa pengesat burokratike, me të cilat përballen njerzit që përpiqen të zbatojnë programe diplomatike nëpërmjet agjencive qeveritare.”

Ambasadori Kattouff thotë Shtetet e Bashkuara në diplomacinë publike duhet të shfrytëzojnë studentët e huaj që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, studentët arabë që studjuan në Shtetet e Bashkuara në vitet 60 dhe 70, u bënë klasa profesionale e atij vendi.

Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Byrosë Ndërkombëtare të Transmetimeve, Ken Tomlinson, thotë se ka edhe gjëra pozitive rreth Amerikës, si përpjekjet e trupave amerikane për të ndihmuar irakianët, e jo vetëm për t’i luftuar ata. Kjo është një anë e karakterit amerikan që ia vlen të flitet së bashku me qëndrimet më pak të dëshiruara.

XS
SM
MD
LG