Lidhje

Presidenti Bush shpalos strategjinë për Irakun - 2004-05-25


Presidenti Bush shpalosi të hënën strategjinë e tij për kalimin e pushtetit politik në Irak, por paralajmëroi se ka shumë mundësi që kryengritësit të bëhen më aktivë dhe më mizorë gjatë periudhës para 30 qershorit.

Në të parin nga pesë fjalimet javore që ka në plan të mbajë mbi objektivat amerikane në Irak, Presidenti Bush e cilësoi koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara si të patundur.

Ai foli edhe për hapat që po merren për të ardhmen politike të Irakut, përfshirë kalimin e autoritetit në duart e një qeverie të përkohshme irakiane më 30 qershor dhe për të nxitur mbështetje më të madhe ndërkombëtare për atë vend.

Presidenti nuk dha ndonjë datë për largimin e trupave amerikane. Por ai tha se për shkak të dhunës, niveli i trupave amerikane në Irak nuk do të ndryshojë pas kalimit të pushtetit.

Në të njëjtën kohë, ai premtoi të shëmbë burgun famëkeq Abu Graib me lejen e irakianëve si simbol i fillimit të ri të vendit. Presidenti theksoi se Amerika do të financojë ndërtimin e një burgu të ri të sigurisë së lartë.

Si demokratët ashtu edhe republikanët kishin thënë se ishte e nevojshme që fjalimi i presidentit të jepte përgjigje konkrete lidhur me të ardhmen e Irakut.

Kandidati demokrat për president, John Kerry, tha se fjalimi i Presidentit Bush nuk përmbante asgjë të re. Ai i bëri thirrje presidentit të kërkojë bashkëpunimin e aleatëve të Amerikës në përpjekje për të stabilizuar gjendjen në Irak.

Nënkryetari i komisionit të Senatit për marrëdhënie me jashtë, demokrati Joseph Biden, tha të hënën se Presidenti Bush duhet të sigurojë mbështetjen e Natos dhe të fuqive të tjera të mëdha për qeverinë e re irakiane.

XS
SM
MD
LG