Lidhje

Irak: forcat amerikane kapën një ndihmës të lartë të klerikut al-Sadër - 2004-05-27


Forcat amerikane në Irak kanë kapur një ndihmës të lartë të klerikut shiit Moktada al-Sadr, në një numër bastisjesh gjatë natës në qytetin Naxhaf në Irakun jugor. Ndërkaq, Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit bëri të ditur formimin e një grupi të ri pune për t’u ofruar kompensim viktimave të regjimit të mëparshëm.

Gjenerali amerikan Mark Kimit tha se forcat e koalicionit kapën Rijad al-Nurin, i cili mendohet se është një ndër togerët kryesorë dhe i afërm i klerikut radikal Moktada al-Sadr.

“Al-Nuri po u dorëzohet autoriteteve irakiane për të përmbushur një urdhër-arrest të mëparshëm ndaj tij lidhur me vrasjen e Ajatollah Maxhid al-Khoeit në prill 2003,” tha zoti Kimit.

Ajatollah al-Khoei ishte një klerik i shquar shiit, i cili u vra në Naxhaf pasi ishte kthyer nga mërgimi në Londër. Moktada al-Sadr kërkohet gjithashtu në lidhje me vrasjen e Ajatollahut.

Në të njëjtin sesion, zëdhënësi i Autoritetit të Përkohshëm Dan Senor bëri të ditur formimin e një grupi të posaçëm pune për të përcaktuar kompensimin për viktima të regjimit të Sadam Huseinit:

“Koalicioni po cakton shumat fillestare nga Fondi për Zhvillimin e Irakut për të çuar përpara përpjekjet në emër të popullit irakian. Shuma fillestare është 25 milion dollarë,” tha zoti Senor.

Ai shtoi se tha se ky grup pune do të përqëndrohet ndër të tjera, në punën me viktimat dhe ministritë për të përcaktuar cilat padrejtësi duhet të kompensohen.

Duke folur të martën në Institutit amerikan të Paqes, Sekretari i Shtetit Colin Powell tha se çdo rezolutë e Kombeve të Bashkuara për Irakun do të kërkojë vazhdimin e pranisë së trupave ndërkombëtare për momentin, për të ndihmuar qeverinë e përkohshme irakiane.

“Rezoluta pohon se ende ekziston nevoja për një forcë ndërkombëtare për të ndihmuar popullin irakian dhe për të bërë të mundur sigurinë, ndërkohë që ky vend krijon forcat e tij ushtarake,” tha Sekretari Powell.

Komentet e tij u mbështetën nga gjenerali Kimit, i cili tha se vazhdon puna për t’i dhënë formë strukturës së komandës nën sovranitetin irakian:

“Ende nuk është vendosur se çfarë forme do të ketë kjo marrëdhënie pas 30 qershorit. Në terma të përgjithshme, bëhet fjalë për një partneritet, të ngjashëm me atë që kemi me partnerët në koalicion,” tha gjenerali Kimit.

Ai tha se disa vende anëtare të koalicionit janë tërhequr nga vendime të marra nga komandantët e koalicionit të cilat i kapërcejnë nivelet e lejuara nga vendet e tyre. Por ai nuk përmendi të drejtën e ndonjë vendi për t’i vënë veton një operacioni ushtarak të koalicionit.

Ndërkaq, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International nxori raportin e saj vjetor në të cilin kritikohet ashpër lufta globale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj organizate Irene Kahn u shpreh me tone të ashpra ndaj përpjekjeve amerikane në Irak:

“Duke sakrifikuar vlerat globale të të drejtave të njeriut në një përpjekje të verbër për arritjen e sigurisë, ne mendojmë se qeveritë po humbasin busullën morale. Ky dështim në udhëheqje është një lëshim i rrezikshëm për grupet e armatosura. Askund tjetër nuk është parë më i qartë ky dështim sesa në Irak, në kontekstin e luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit,” tha zonja Khan.

Departamenti i Shtetit u kundërpërgjigj duke thënë se lufta globale kundër terrorizmit ka çuar në çlirimin e 50 milion njerëzve në Afganistan dhe Irak. Një zëdhënës pranoi se ka pasur keqtrajtime në burgun Abu Graib, por shtoi se ka filluar një proces serioz për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. //ad//

XS
SM
MD
LG