Lidhje

Irak: Koalicioni ka rënë dakort të pezullojë operacionet ushtarake në Naxhaf - 2004-05-27


Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në Irak njoftoi se ka rënë dakort të pezullojë operacionet ushtarake në qytetin Naxhaf, pasi udhëheqësit shiitë e bindën klerikun radikal shi’it Moktada al-Sadër që të tërheqë milicinë e tij nga qyteti i shenjtë pas disa javë luftimesh.

Zëdhënësi i forcave të koalicionit Dan Senor, tha dje në Bagdat se Maqtada al-Sadër ra dakord gjithashtu të tërheqë forcat e tij nga qyteti Kufa. Por zoti Senor theksoi se këto hapa duhet të pasohen nga veprime të tjera konstruksive.

Zëdhënësi tha se forcat e koalicionit do të qëndrojnë në Naxhaf dhe në Kufa deri sa policia irakiane dhe forcat e mbrojtjes civile të rimarrin përgjegjësi në këto qytete. Ai tha se edhe më pas disa trupa do të qëndrojnë atje për të mbrojtur objektet e koalicionit si dhe ndërtesën e guvernatorit provincial.

Në zhvillime të tjera, një anëtare femër e Këshillit Qeverisës të Irakut shpëtoi gjallë dje nga një pritë me bombë në anë të rrugës në periferi të Bagdadit. Të paktën një anëtar i ekipit të saj shoqërues humbi jetën nga sulmi.

Ndërkohë, zyrtarët japonezë thanë se po hetojnë njoftime se kryengritësit sulmuan një automjet afër Bagdadit me të cilin po udhëtonin 2 japonezë, që mendohet të jenë gazetarë. Sipas njoftimeve të para, njëri prej tyre u vra.

//ze//

XS
SM
MD
LG