Lidhje

Mediu: Ndikimi i krimit të organizuar mbi politikën, problemi më i madh që ka sot Shqipëria - 2004-06-04


Kryetari i Partisë Republikane në Shqipëri dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin Fatmir Mediu, ndodhet në Shtetet e Bashkuara me ftesë të Senatit, në kuadër të një organizate që financohet nga Kombet e Bashkuara, të quajtur “Parlamentarët për Veprim Global”. Tema e takimit të organizatës ishte “Kodi i Etikës dhe Kodi i Sjelljes Parlamentare”.

Intervistë me zotin Fatmir Mediu

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, “Kodi i Etikës dhe Kodi i Sjelljes” është një temë interesante edhe për Shqipërinë. Në këtë këndveshtrim cilat janë mangësitë me të cilat përballet sot parlamenti i Shqipërisë?

Fatmir Mediu: Mendoj që nuk është interesante për Shqipërinë, por është interesante për të gjitha vendet. Në takim ka patur pjesëmarrës nga 50 vende të ndryshme të botës. Përsa i përket Shqipërisë; kodi i etikës dhe kodi i sjelljes nuk duhet konceptuar vetëm në mënyrën e diskutimeve, të vendimeve apo të shkëmbimeve të fjalëve brenda institucionit të parlamentit, megjithëse kjo etikë ka të bëjë shumë me vlerën dhe autoritetin e këtij institucioni, por ka të bëjë edhe me eliminimin sidomos të elementëve korruptivë, ose të përdorimit të influencës nga ana e deputetëve për iniciativa të ndryshme legjislative, shmangien nga korrupsioni, sidomos konflikti i interesave i cili tashmë është një nga fenomenet më të dukshme në institucionet shqiptare dhe në institucionin e parlamentit, por sidomos në qeverisje. Ky është një problem shumë i madh, përsa u përket vetë zhvillimeve politike dhe institucionale në Shqipëri. Ishte një eksperiencë shumë pozitive besoj, e cila vlen për faktin se Shqipëria është në fazën e përgatitjes së Kodit të Sjelljes dhe Kodit Etik, që janë dy gjera të ndryshme. Njeri ka të bëjë më tepër me vlerat etike, kurse tjetri ka të bëjë më tepër me mënyrën e shmangies së sjelljes dhe atyre fenomeneve që i përmenda më sipër.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, ditët e fundit në Shqipëri po flitet për një marrëveshje midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me organizimin e zgjedhjeve të ardhëshme. Edhe më parë ka patur marrëveshje të kësaj natyre, por përsëri në fund të zgjedhjeve, nuk është shmangur dot fenomeni i kontestimit të tyre nga njera palë ose nga tjetra. A rrezikon Shqipëria që edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, të ndeshet përsëri me të njejtin fenomen të zgjedhjeve të kaluara?

Fatmir Mediu: Mendoj që Shqipëria realisht rrezikon përsëri probleme zgjedhore, për vetë faktin se jo vetëm dëshira për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht, por influencat e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe të njerëzve të lidhur me trafikun, mbi pushtetin e sotëm, janë të mëdha. Nuk besoj që këto grupe interesash në ditën e zgjedhjeve, do të heqin dorë nga pretendimi i tyre për të kontrolluar jetën politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Ky është problemi më i madh që ka sot për sot Shqipëria. Natyrisht që partitë politike kanë të detyrueshme, plotësimin e standarteve të nevojshme për të patur zgjedhje të lira dhe të barabarta. Do të gjykoja që Partia Demokratike do të bënte një gabim fatal, në qoftë se do të hynte në marrëveshje me Partinë Socialiste pa patur një marrëveshje brenda gjithë kampit opozitar. Mendoj se duhet të ketë një disponim të të gjithë opozitës për të përballuar problemet zgjedhore. Gjatë qëndrimit tim në Uashington unë kam patur edhe diskutime rreth kësaj çështjeje duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Kongresi amerikan dhe për problemin e zgjedhjeve ka një shqetësim të administratës amerikane. Mendoj që në qoftë se opozita shqiptare dhe kryesisht Partia Demokratike nuk do të jetë koshiente në veprimin e saj politik, në raport me këtë çështje, për ta bërë opozitën të gjithë të qëndrueshme, me një fokus të qartë në zgjedhje, në bashkëpunim me institucionin e OSBE-së dhe natyrisht pastaj në marrëveshje, sepse kemi të bëjmë me proces ligjbërës, me ndryshimin e ligjit, edhe me Partinë Socialiste, unë mendoj që do të ketë probleme jo të vogla. E kam thënë në një formë shakaje, që Partia Demokratike duhet të mësojë që çdo buzëqeshje e socialistëve në marrëdhëniet me ta, nuk është për shkak të kënaqësisë që do t’i japë Partisë Demokratike, por për shkak të interesave të veta, të cilat janë tashmë të dukshme, që janë të lidhura me interesa të cilat nuk shkojnë në të njejtin drejtim me interesat e shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, një çështje tjetër e rëndësishme që po diskutohet në parlamentin shqiptar dhe ju keni qënë mjaft aktiv në të, është problemi i ligjit të pronave, një ligj tepër i rëndësishëm, por po aq edhe i vështirë për t’u kaluar në parlament. Ju e kundërshtoni variantin që po diskutohet aktualisht në parlament. Sa do të ndikojë kjo në marrëdhëniet e Partisë Republikane me Partinë Demokratike?

Fatmir Mediu Së pari dua të theksoj që ne paraqitëm një ligj në parlament. Ka qënë një nga iniciativat e rralla legjislative, e cila u hodh poshtë për fatin e keq edhe nga deputetët e Partisë Demokratike, ose abstenuan, desha të thosha. Në rastin konkret tentohet të bëhet një ligj, i cili në gjykimin tim nuk është i vështirë në aspektin e zgjidhjes, por është i vështirë për shkak të konceptit që ka politika shqiptare, e cila ka pronësuar veten, duke shpronësuar pronarët. Është një pozicion i cili bie ndesh me të drejtat dhe me shtetin e së drejtës, është një ligj i cili bie ndesh me nenin 41 dhe 181 të kushtetutës, përligj korrupsionin, krijon më tepër hapësira korruptive, është një ligj i cili në kompensimin financiar është tërisht i pamundur dhe këtë e kanë pranuar edhe përfaqësuesit e qeverisë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, mendoj që është një ligj që hap akoma më tej afera të reja korruptive, i cili do të krijonte problem të madh për të gjithë, jo vetëm për shtresën e pronarëve, por për zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Sa do të ndikojë kjo në marrëdhëniet ndërmjet Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike? Unë e kam theksuar që nuk pres që Partia Demokratike të jetë në të njejtën logjikë dhe në të njejtën program me Partinë Republikane, sepse atëhere nuk do të kishte kuptim që të kishim parti të ndryshme. Por mendoj që si Partia Demokratike edhe Partia Republikane, si forca të qendrës së djathtë, kanë një politikë, ose një parim të tyren të zhvillimit të politikave, që ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës, në rastin konkret, të respektimit të së drejtës së pronës private. Marrëdhëniet mes partive politike, nuk janë thjesht raporte individësh, ose kënaqësi që mund t’i japë Mediu Berishës, ose Berisha Mediut në mënyrë reciproke. Ka të bëjë me një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një platformë dhe një qeverisje që t’u shërbejë shqiptarëve dhe në respektimin, në rastin konkret, të së drejtës së pronës private dhe të gjitha të drejtave të tjera që kanë qytetarët shqiptarë karshi opozitës. Mendoj se është momenti që opozita përfundimisht dhe Partia Demokratike në mënyrë konkrete, duhet të ndahet nga mentaliteti që ka zotëruar në politikën shqiptare, nga mentaliteti komunist, që ne çdo gjë e zotërojmë si politikë dhe interesat e shqiptarëve duhet të vinë pas interesave të politikës. Mendoj që është krejt e kundërta.

XS
SM
MD
LG