Kohët e fundit ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Zbigniew Brzezinski ka botuar librin “The Choice: Global Domination, or Global Leadership”, “Zgjedhja: Mbizotërim Global, apo Udhëheqje globale”. Libri shihet si një këndvështrim i qartë i botës, duke përmbledhur çështjet kryesore ndërkombëtare me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jarek Anders e intervistoi zotin Brzezinsky dhe ne po japim një përmbledhje të intervistës.
Në librin e zotit Brzezinsky, thuhet se Amerikës do t’i duhet të zgjedhë mes udhëheqjes globale dhe mbizotërimit global.
“Mendoj se është e rëndësishme që Amerika t’i bëjë vendet e tjera të mbështesin vlerat e saj, për rolin e saj në përballimin e problemeve bazë, por Amerika nuk mund t’i detyrojë të tjerët që ta ndjekin, kështuqë unë mendoj që udhëheqja është mënyra më efektive”, tha zoti Brzezinsky.
Teza e zotit Brzezinsky, e trajtuar në libër është se realiteti global i pas luftës së ftohtë dhe pas 11 shtatorit i ka vendosur Shtetet e Bashkuara në pozicionin e veçantë të një vendi të aftë si për të garantuar qëndrueshmëri globale, por në të njëjtën kohë edhe për të ngjallur instabilitet përmes gërryerjes kulturore amerikane që prekin shoqëritë kudo në botë.
“Duhet të mos harrojmë se në çështje ndërkombëtare nuk ka zgjidhje, sepse historia nuk ndalet kurrë. Ka vetëm rregullime të përkohshme dhe pastaj shfaqen probleme të reja dhe sfida jonë është që të jemi në gjendje ta përballojmë këtë dilemë, këtë paradoks të një Amerike që nga njëra anë kërkon qëndrueshmëri, por nga ana tjetër prodhon vetë revolucione, paqendrueshmëri. Këtij paradoksi duhet t’i bëjmë ballë sa më mirë që të kemi mundësi. Unë do të kombëngulja që udhëheqja konsensuale që rrjedh në masë të madhe nga fuqia amerikane, por që nuk e përdor këtë pushtet si çekiç, është mënyra më e mirë për të gjetur rrugën e këtij paradoksi”, thotë ai.
Në libër ish-këshilltari për sigurinë kombëtare flet për një “Ballkan Global” dhe e ka fjalën për pjesën jashtëzakonisht të gjerë të territori që fillon që nga Kanali i Suezit e deri në kufi me Kinën. Nga kufiri jugor i Rusisë, Kazakistani deri në brigjet e Pakistanit në Detin Arabik dhe Oqeanin Indian, ku gjenden një numër vendesh, 550 milionë njerëz, ku ka një paqendrueshmëri të jashtëzakonshme dhe shumë konflikte.
“Shtetet e Bashkuara janë tani të angazhuara drejtpërdrejt, politikisht dhe ushtarakisht në problemin e Irakut, në Afganistan, por janë gjithashtu të angazhuara në çështje që kanë të bëjnë me paqëndrueshmërinë në Pakistan, në konfliktin izraelito-palestinez, me Iranin, pra shkurt ne kemi ndërmarrë një detyrë të jashtëzakonshme, një sfidë të madhe dhe sipas meje ne nuk kemi aleatë nëse nuk ushtrojmë udhëheqjen konsensuale, për të cilën unë shkruaj, ka mundësi që ne të kemi shumë për të përballuar”.
Përsa u takon ndjeshmërive që janë zgjuar në botën myslimane nga qëndrimet amerikane, ai thotë se së pari duhet respektuar dinjiteti politik i myslimanëve.
“Nuk mund ta trajtosh një popullsi kaq të paqendrueshme, ndonjëherë shumë të apasionuar dhe thellësisht të përkushtuar ndaj besimit të vet, duke u sjellë në thelb ndaj rajonit në një mënyrë gjysmëkoloniale, apo perandorake. Duhet ta kuptojmë që këtij lloj qëndrimi, kësaj lloj politike i ka kaluar koha, ajo i takon të kaluarës, historisë, jo së ardhmes”, thotë zoti Brzezinsky.
Ai paralajmëron se nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë të kujdesshme, nëse nuk janë të matura politikisht, nëse përpiqen për të vendosur epërsinë me anë të forcës, ajo popullsi do të nxitet kundër nesh. Zoti Brzezinski thotë se kjo do të sillte konflikt dhe Shtetet e Bashkuara do ta fitonin çdo konflikt ushatarak të drejtpërdrejtë, por në planet afatgjata do të humbisnin.