Kobe Bryant lindi në Philadelphia të Pensilvanisë më 23 gusht 1978 dhe është i biri i ish-basketbollistit profesionist Joe Bryant. Prindërit e quajtën Kobe sipas emrit të një bifteku të shijshëm e të shtrenjtë. 8 vjet të fëmijërisë i ka kaluar në Itali dhe flet rrjedhshëm italisht. Filmi që pëlqen më tepër, është ”Lufta e Yjeve”. Është i gjatë 1 e 98 dhe peshon 99.8 kilogram.
Elementet-bazë të basketbollit i mësoi në Itali ku luante edhe futboll, i cili i pëlqente aq sa basketbolli. Dy gjëra, thotë Kobe, më shtynë të zgjidhja basketbollin: udhëtimet e përvitshme në Philadelphia dhe rritja e furishme e shtatit që në moshën 11-vjeçare.
Ai tregon se kur vinte në Amerikë shihte një lojë krejt tjetër nga ajo në Itali dhe fillimisht nuk i kuptonte rregullat e basketbollit të rrugës, zhargonin dhe krenarinë e theksuar mashkullore që shoqërohej me të.
“Në moshën 13-vjeçare, tregon ai, isha në gjendje të luaja me këdo. Në këtë moshë arrita të mund të dy motrat e mia, të cilat janë basketbolliste dhe volejbolliste të shkëlqyera, por jo babain”, tregon Kobe.
Pas kthimit nga Italia ai u dallua që në shkollën e mesme si një yll i ardhshëm. Kobe u përfshi që 18 vjeç në basketbollin profesionist, Kobe Bryant vendosi një rekord të ri si debutant Më 1998 u votua në pesëshen e basketbollistëve më të mirë - më i riu ndonjëherë.
Luan me Lakers të Los Angelesit dhe mban numrin 8; Dallohet për lojë të zhdërvjellët, rezultative e madje edhe akrobatike.
Aktualisht ai ndodhet në gjyq nën akuzat për përdhunimin e një nëntëmbëdhjetëvjeçareje - akuzë të cilën ai e mohon. Një nga sponsorët e tij më të mëdhenj kompania Coca-Cola, ka vendosur t’i japë fund kontratës për reklamë që kishte me Kobe Bryant.
Ndërkaq, bashkëshortja po i qendron pranë. Analistët thonë se gjyqi ka ndikuar negativisht gjatë sezonit të sivjetëm në formën e tij sportive. Por ata shtojnë se gjatë fazës eliminatore dhe në finale Kobe Bryant po paraqitet në kulmet e formës së tij.//kk//