Lidhje

Paddy Ashdown mirëpriti pranimin nga ana e autoriteteve sërbe të Bosnjes të masakrës së Srebrenicës - 2004-06-13


Administratori ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën, Paddy Ashdown, mirëpriti pranimin nga ana e autoriteteve sërbe të Bosnjes se forcat e tyre të sigurimit masakruan deri në 8 mijë myslimanë në qytetin e Srebrenicës në vitin 1995. Megjithatë, zoti Ashdown paralajmëroi se ky pranim nuk do të thotë se qeveria e sërbëve të Bosnjes do të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës.

Në një letër që i dërgoi Bashkimit Evropian dhe NATO-s, zoti Ashdown thotë se pranimi nga sërbët e Bosnjes tregon se qeveria e republikës sërbe të Bosnje-Hercegovinës ka bërë një farë përparimi për të ndihmuar në përcaktimin e së vërtetës rreth asaj që është quajtur si krimi më i rëndë në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Deri tani, sërbët e Bosnjes refuzonin të pranonin publikisht ndonjë përgjegjësi për masakrën e vitit 1995. Por një komision i posaçëm i krijuar për të bërë hetime, publikoi një raport të premten, në të cilin thuhej se ushtria sërbe dhe forcat e sigurimit morën pjesë në vrasje.

Në raportin e komisionit thuhej se masakra ishte pjesë e një plani të organizuar më së miri për të sulmuar qytetit, për të ndarë burrat nga gratë e fëmijët dhe për të ekzekutuar burrat.

Në komisionin prej 7 anëtarësh bënte pjesë edhe një anëtar ndërkombëtar dhe një mysliman.

Në letrën që i dërgoi Bashkimit Evropian dhe NATO-s, zoti Ashdown thoshte se pranimi zyrtar së bashku me deklaratat e fundit publike të disa udhëheqësve sërbë të Bosnjes tregojnë, siç u shpreh ai, për një gadishmëri në rritje për të gjetur personat përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe për të vendosur drejtësinë për viktimat.

Por ai gjithashtu paralajmëroi që autoritetet sërbe të Bosnjes duhet të bëjnë më shumë për të kompensuar mohimin e së vërtetës gjatë 9 vjetëve të fundit dhe veçanërisht të bashkëpunojnë me Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës për t’i nxjerrë para drejtësisë personat përgjejgës.

Gratë, bashkëshortët e të cilave u vranë në Srebrenicë, iu ankuan krye-prokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte se shumica e personave të dyshuar për vrasjet e Srebrenicës janë ende të lirë. Kryesorët mes tyre janë Radovan Karaxhiçi dhe Ratko Mlladiçi.

//ze//

XS
SM
MD
LG