Lidhje

SHBA, Iraku dhe sovraniteti - 2004-06-23


Irakianët janë angazhuar në përgatitjet për marrjen e sovranitetit që do të realizohet më 1 korrik. Të angazhuar në këto përgatitje janë edhe zyrtarët amerikanë që po punojnë me ta. Korrespondjentja Laurie Kassman njofton nga Washingtoni mbi përgatitjet për marrëdhëniet e reja politike dhe diplomatike.

”Mos mendo për 1 korrikun si dita e pavarësisë. Kjo është një ngjarje thjesht simbolike,” thotë veprimtari irakian për të drejtat e njeriut Ghasan al-Atiyah, i cili shton se kalimi i pushtetit në duart e irakianëve nuk nënkupton përfundimin e martesës strategjike, siç e quan ai, ndërmjet qeverisë së përkohshme irakiane dhe Washingtonit.

Por anketat e fundit tregojnë se 9 ndër 10 irakianë nuk i besojnë koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Zoti al-Atiyah shton se të dyja palët duhet të bëjnë modifikime në marrëdhëniet mes tyre. Ai thotë se Iraku ka nevojë për ndihmë dhe jo për dominim nga Shtetet e Bashkuara, dhe zyrtarët amerikanë duhet ta pasqyrojnë këtë në marrëdhëniet e tyre me Irakun:

”Ata e kanë të qartë se duhet të rishikojnë politikat e tyre. Ne irakianët kemi bërë gabime, prandaj duhet të përpiqemi të shënojmë përparim. Ne kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara, si në të kaluarën, në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen, si partnerë, si ndihmës, e jo për të sunduar vendin tonë.”

Zyrtari i Departamentit të Shtetit Frank Ricciardone është i të njëjtit mendim. Zoti Ricciardone kryeson përpjekjet bashkërenduese për kalimin e pushtetit nga Shtetet e Bashkuara përfshirë edhe përpjekjet për ngritjen dhe përgatitjet për ambasadën amerikane në Irak:

”Duam që irakianët ta kuptojmë se jemi seriozë në angazhimet tona. Ne nuk do ta drejtojmë më këtë vend.”

Zoti Ricciardone thotë se qeveria amerikane do të ndihmojë me këshilltarë ekspertë si dhe me çdo gjë që mund të kërkojë Iraku, në të njëjtën formë bashkërendimi që ambasadat amerikane funksionojnë në mbarë botën.

Por ai pohon se diplomatët amerikanë do të duhet të ndreqin imazhin e dëmtuar të pranisë ushtarake amerikane në Irak:

”Na takon ne si mision diplomatik amerikan në Irak, të gjejmë mënyrat për të zhvilluar një dialog sa më të sinqertë me popullin irakian, si në nivel individual ashtu edhe në nivel masiv, çdo ditë dhe të mos harrojmë se jemi miq në atë vend.”

Në një fjalim që mbajti kohët e fundit mbi kalimin e pushtetit, presidenti Bush renditi pesë hapa që do të ndërmarrë Washingtoni për të nxitur tranzicionin demokratik në Irak:

”Ne do t’ia kalojmë autoritetin një qeverie sovrane irakiane, do të ndihmojmë për vendosjen e sigurimit, do të vazhdojmë të rindërtojmë infrastrukturën e Irakut, do të nxisim përkrahje ndërkombëtare dhe do të shkojmë drejt zgjedhjeve kombëtare që do të sjellin në skenë udhëheqës të rinj të zgjedhur nga populli irakian.”

Biznesmeni irakian, Rubar Sandie, e konsideron sigurimin si shqetësimin numër një. Pa vendosjen e sigurimit, thotë ai, bizneset e huaja do të ngurojnë të investojnë në Irak.

Ai nuk mendon se sulmet ndaj zyrtarëve të huaj, infrastrukturës së naftës dhe energjitikës, qendrave për stërvitjen e forcave të rendit dhe kontraktorëve të huaj do të përfundojnë së shpejti.

”Nuk do të ndreqet çdo gjë menjëherë. Ndoshta elementët keqbërës do të duan të tregojnë forcën e tyre dhe gjendja mund të keqësohet fillimisht. Por nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh.”

Bashkërenduesi i Departamentit të Shtetit për Tranzicionin Ricciardone thotë se ndihma amerikane gjatë tranzicionit do të përqëndrohet në përpjekjet për vendosjen e sigurimit:

”Kjo nuk kërkon vetëm stërvitjen e forcave të rendit, por edhe stërvitjen e gardës kombëtare, të ushtrisë në mënyrë që ushtria ta kuptojë se çfarë do të thotë mbrojtje kombëtare. Kjo nuk nënkupton më mbrojtjen e një diktatori apo besnikëri ndaj një individi që e shpërdoron pushtetin në interesin e tij dhe të familjes së tij, por nënkupton mbrojtjen e vendit, të kushtetutës dhe të popullit.”

Biznismeni Rubar Sandi theksoi gjithashtu nevojën urgjente për hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për biznes:

”Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë dhe të pranojnë se ka filluar një epokë e re dhe se edhe atyre u takon përgjegjësia për të rindërtuar vendin e tyre. Amerikanët i çliruan dhe tani irakianët duhet të rindërtojnë vendin e tyre.”

Zoti Ricciardone thotë se administrata e presidentit Bush, ashtu si partnerë të tjerë të huaj për tregëtinë, do të ofrojë ndihmë, por nuk do të kontrollojnë më kontratat e huaja dhe marrëveshjet e biznesit.

Megjithatë, pjesa më e madhe e irakianëve parashikojnë se administrata amerikane do të vazhdojë të ushtrojë ndikim edhe pas kalimit të sovranitetit më 1 korrik. Analistë të Lindjes së Mesme vënë në dukje se qeveria amerikane e ka piketuar Irakun si një model për reforma demokratike dhe nuk mund të lejojë dështimin e këtyre përpjekjeve.//ii

XS
SM
MD
LG