Lidhje

Divorci në SHBA - 2004-06-23


Të paktën gjysma e të gjitha martesave në Shtetet e Bashkuara nuk mbijetojnë, duke lënë 18 milionë fëmijë me prindër të divorcuar. Shpesh shoqëria i konsideron këta fëmijë si viktima të marrëdhënieve të dështuara të prindërve, të paaftë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme. Por siç njofton korrespondentja Faisa Elmasry, ata që kanë përjetuar divorcimin e prindërve në fëmijëri thonë se një gjë e tillë nuk çon me doemos në shkatërrimin e një familjeje apo të jetës së fëmijëve.

44-vjeçarja Amy ka dy fëmijë. Ajo tregon se prindërit e saj u divorcuan kur ajo ishte 6 vjeçe:

”Më kujtohet disi. Nuk isha e zemëruar, por më merrte malli për babain. Ai shkoi të jetonte në një shtet tjetër dhe ne e shihnin vetëm 4 herë në vit.”

Pas divorcit, Amy dhe e motra jetuan me nënën e tyre. Pas disa vitesh si nëna edhe babai u martuan për të dytën herë. Ajo tregon se ka një vëlla dhe një motër tjetër nga babai, por shton se i ati gjithmonë donte ta përfshinte edhe atë dhe motrën në gëzime familjare.

”Shumë njerëz më pyesin nëse isha e mërzitur. Nuk është ashtu. Unë ndjehem shumë fatlume pasi kam 4 prindër. Unë kam pasur rastin të shëtis në vende të ndryshme më shumë se shoqet e mia, pasi herë udhëtoja me nënën dhe të shoqin e saj dhe herë me babanë dhe gruan e tij të dytë.”

Psikiatrja për çështjet e martesës Costance Ahorn shpjegon se fëmijë që kanë të tilla kujtime janë provë e një divorci të mirë. 25 vjet më parë zonja Ahorns intervistoi dhjetëra individë të ndarë dhe shkroi një libër të titulluar “Divorci i Mirë.” Më pas ajo shkroi një libër tjetër me kujtimet e fëmijëve që përjetuan një divorc të mirë, siç e quan ajo:

”Pjesa më e madhe e këtyre familjeve e ruajnë strukturën e familjes. Këto janë struktura më komplekse, por megjithatë janë familje. Fëmijët rriten mirë. 78 për qind e tyre janë dakort me vendimin e prindërve për divorc dhe 3 të katërtat e fëmijëve të intervistuar mendojnë se prindërit janë më mirë si rrjedhojë e divorcit.”

Në librin e saj, Constance Ahorns u kundërvihet disa prej ideve të gabuara si për shembull se baballarët nuk janë më të angazhuar në jetën e fëmijëve pas divorcit:

”Zbuluam se mbi 50 për qind e fëmijëve vërejtën përmirësim të marrëdhënieve me babain pas divorcit, pasi kishin mundësi të krijonin një marrëdhënie të re të pavarur. Po ashtu edhe baballarët ishin të gatshëm të dedikonin më shumë kohë për fëmijët, pa ndërhyrjen e gruas.”

Gjatë periudhës 25 vjeçare pas divorcit, thuajse të gjithë individët e përfshirë në këtë studim kishin në jetën e tyre një njerk ose motra apo vëllezër prej nënës ose babait.

Zonja Ahorns tregon se rezultatet e studimit treguan se fëmijët kishin krijuar marrëdhënie të mira me bashkëshortin e prindit të tyre, por kjo nuk ndodh menjëherë. Po dyshim ka edhe probleme, si për shembull fëmijët nga martesat e mëparshme dhe marrëdhëniet mes tyre shpesh herë janë të ndërlikuara dhe të pasuksesshme.

Cosntance Ahorns thotë se divorci është një proces që fillon shumë para nënshkrimit të dokumentave dhe vazhdon për një kohë të gjatë. Ka raste kur vite pas divorcit, disa fëmijë ende vuajnë pasojat e tij. Por zonja Ahorns thotë se studimi i saj tregon se kjo nuk nënkupton që divorci është një plagë psikologjike për fëmijët dhe se fëmijët me kalimin e kohës i kuptojnë dhe i vlerësojnë më mirë përpjekjet e prindërve për të ruajtur strukturën e familjes.

XS
SM
MD
LG