Lidhje

Sulme të koordinuara të kryengritësve në Irak - 2004-06-24


Zyrtarët irakianë thonë se numri i viktimave në ditën më të përgjakshme të sulmeve të udhëhequra nga kryengritësit pas disa muajsh arriti në të paktën 100, përfshirë 3 ushtarë amerikanë.

Ndërkohë që ka mbetur më pak se një javë nga kalimi i planifikuar i pushtetit në Irak, makina bombë u hodhën në erë afër një akademie policore, një spitali dhe disa stacioneve policore në qytetin verior të Mosulit, duke shkaktuar të paktën 62 të vrarë dhe më shumë se 200 të plagosur. Forcat amerikane u sulmuan rëndë në Bakuba, ku dy ushtarë amerikanë ishin mes më shumë se 10 të vrarëve. Aeroplanët amerikanë hodhën 3 bomba 225 kilogramëshe kundër bazave të kryengritësve përreth këtij distrikti.

Zyrtarët irakianë njoftojnë për disa dhjetra vdekje të tjera në përleshjet në Ramadi, Falluxhah dhe në rrethinat e Bagdadit. Në Falluxhah, ekujpazhi i një helikopteri të marinës amerikane shpëtoi pa u dëmtuar pasi bëri një zbritje emergjente.

Kryeministri irakian, Iyad Allawi, i dënoi kryengritësit, sulmet e bashrenduara të të cilëve duket se po shtohen si nga numri ashtu edhe intensiteti ndërsa afrohet 30 qershori, data e kalimit të pushtetit irakianëve.

“Sulmet ishin akte prej frikacakësh të kryera nga kriminelë, hipokritë e të pabesë, që përpiqen të dëmtojnë popullin irakian dhe të minojnë procesin demokratik, drejt të cilit ne po shkojmë.”

Komenteve të kryeministrit Allawi u bëri jehonë edhe ministri irakian i mbrojtjes, Hazim Shalan, i cili tha se qeveria e përkohshme nuk do të hezitojë të shpallë gjendjen e shtet-rrethimit në se ngjarrjet e kërkojnë një hap të tillë. Zoti Shalan tha se forcat irakiane të sigurimit do të luajnë gjithnjë e më shumë rolin udhëheqës në patrullimin e vendit, ndërsa trupat e koalicionit do të shërbejnë si forcë mbështetëse.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri Allawi u ka dërguar një letër qeverive të vendeve aleate, duke u kërkuar më shumë ndihmë për stërvitjen e forcave irakiane të sigurimit si dhe ndihma të tjera.

Në Washington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se NATO-ja mund të luajë një rol të dobishëm stërvitor. Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell vuri në dukje kontributet e deritanishme të dhjetra partnerëve të koalicionit, duke shtuar se populli irakian do të mirëpriste partnerë të rinj.

Italia ka dhënë tashmë shenja të miratimit të saj për një rol të NATO-s në Irak. Ministri i jashtëm italian, Franko Fratini, tha se vendi i tij do ta mbështesë kërkesën e kryeministrit Allawi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që zhvillohet javën e ardhshme në Turqi.

Në kongresin amerikan, personi, që mendohet të jetë komandanti i ardhshëm i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak, gjenerali George Casey, tha se forcat anti-demokratike në Irak kanë treguar se janë më vdekjeprurëse dhe më të vendosura se sa kishte imagjinuar ai.

“Kryengritja është më e fortë se sa kisha parashikuar. Mendoj se ata mbështeten nga burime të jashtme.”

Gjenerali Casey tha se rajoni i Irakut me shumicë myslimane sunni në veri-perëndim të Bagdadit mbetet një vatër trazirash. Ai shtoi se forcat e koalicionit kanë nevojë për më shumë informacion zbulimi nga vetë irakianët në mënyrë që të përmirësohet gjendja e sigurisë në vend.

//ze//

XS
SM
MD
LG