Sekretari i përgjithshëm i Natos, Jap de Hup Shefer, tha se dy bombat që shpërthyen në Turqi nuk do pengojnë zhvillimin e takimit të nivelit të lartë siç ishte planifikuar. “Por, ato janë një provë tjetër se terroristë gjenden kudo dhe se aleanca jonë ndodhet në Afganistan dhe në shumë vende të tjera pasi terroristët nuk bëjnë dallime në objektivat e sulmeve të tyre”
Takimi i nivelit të lartë do të prëqendrohet tek roli i Natos në Irak dhe zgjerimi i forcave të aleancës në Afganistan. Zoti Shefer thotë se një rezolutë e kohëve të fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën shprehet mbështetja për qeverinë e re irakiane, mud të hapë rrugën për një zgjerim të rolit të Natos edhe në Irak.
“Duke filluar nga 30 qershori, nevojitet që ne t’i shikojmë gjërat në një këndvështrim të ri, pasi tani e tutje do të jetë qeveria e përkohshme irakiane ajo që do të vendosë, do të kërkojë dhe do të shqyrtojë”, tha zoti Shefer.
Qendra për studime strategjike dhe ndërkombëtare këtu në Washington organizoi kohët e fundit një koneferencë mbi takimin e ardhshëm të Natos. Robin Niblet i qendrës thotë se nuk ka të ngjarë që tani për tani Natoja të marrë ndonjë rol të madh në Irak për shkak se Shtetet e Bashkuara hynë në luftë vitin e kaluar pa pëlqimin e tre vendeve anëtare të aleancës, Francës, Gjermanisë dhe Greqisë. “Rrjedha e përgjithshme e marrëdhënieve transatlantike vazhdon të jetë nën ndikimin e atyre që ndodhën një vit më parë në Irak dhe të mospajtimeve të tanishme rreth fazës paskonfliktit”, tha zoti Niblet.
Kryeministri i përkohshëm irakian, Ijad Allaui, i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Natos këtë javë, ku i kërkon që Natoja të stërvitë forcat irakiane të sigurimit.
Ish ambasadori amerikan në Nato, Robert Hunter, parashikon që Natoja ta pranojë kërkesën irakiane: “Por aleatët thonë se fillimisht duhet të përmbushin misionin në Afganistan, të mos shtrihen tepër. Nëse përpiqemi të bëjmë dy gjëra njëherësh dhe të dështojmë në të dyja, thonë ata, do të ishte një katastrofë e vërtetë”, tha zoti Hunter.
Natoja mori komandën e forcës paqeruajtëse në Afganistan vitin e kaluar, misioni i saj i parë jashtë Evropës. Deri tani, trupat e Natos jnaë dislokuar kryesisht përreth kryeqytetit Kabul. Në fillim të javës, i dërguari i OKB-së në Afganistan, Zhan Arnault, tha se gjendje e sigurisë atje vazhdon të keqësohet: “Zhvillimet gjatë tri javëve të fundit tregojnë se gjendja e sigurimit nuk po përmirësohet, por po bëhet më e paqendrueshme.”tha zoti Arnault.
Një zëdhënës ushtarak amerikan në Afganistan e hodhi poshtë këtë vlerësim. Por, Presidenti Hamid Karzai po kërkon dislokimin e trupave të tjera ndërkombëtare. “Ne presim që Natoja të dislokojë trupa të tjera në Afganistan dhe të përmbushet premtimi që na është dhënë. Ne shpresojmë që Natoja do të vijë në Afganistan dhe se këtë gjë do ta bëjë para zgjedhjeve të shtatorit”, tha presidenti.
Aktualisht, Natoja ka rreth 6 mijë e 500 trupa në Afganistan dhe vendet e saj anëtare nuk kanë premtuar trupa shtesë. Komandantët e Natos në Afganistan thonë se kanë nevojë për trupa të tjera për të ngritur pesë ekipe krahinore rindërtimi në pjesën veriore të vendit para zgjedhjeve. Alenaca kontrollon aktualisht vetëm një qenndër të tillë, por ambasadori Hunter thotë se pret që në takimin e nivelit të lartë të Stambollit të vendoset për rritjen e numrit të këtyre qendrave. “Do të njoftohet se numri i këtyre qendrave do të shtohet, duke filluar në veri dhe më pas në gjithë vendin”,tha ambasadori.
Ambasadori Hunter thotë se Natoja nuk ka dështuar kurrë në asnjë mision që ka ndërmarrë, kështuqë takimi i Stambollit do të përpiqet të sigurojë që misioni në Afganistan të jetë i suksesshëm dhe shton se vetëm atëherë aleanca do të jetë e gatshme ta zhvendosë vëmendjen në drejtim të Irakut.
//rd//