Lidhje

Gjendja e të drejtave të njeriut në Siri - 2004-07-03


Demonstrues sirian u mblodhën kohët e fundit për të kërkuar lirimin e të burgosurve politikë. Por policia shumë shpejt shpërndau demonstratën paqësore të mbajtur me 21 qershor, ditë e shpallur nga grupet siriane të të drejtave të njeriut si ”dita e të burgosurve politikë.”

Po të lejoheshin, demonstruesit do të protestonin për shumë gjëra. Sipas Shoqatës për të Drejtat e Njeriut në Siri, në këtë vend ka rreth 2 mijë të burgosur politikë. Njëri prej tyre është Aktham Naisse, udhëheqës i komitetit për mbrojtjen e të drejtave demokratike dhe të drejtave të njeriut në Siri. Ai u arrestua një ditë pasi organizata e tij publikoi një raport kritik lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Siri. Thuhet se zoti Naisse ka pësuar një hemoragji cerebrale në burg dhe mund të ketë zhvilluar një grevë urie.

Edhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë ngritur zërin për abuzimet në Siri. Amnesty International ka dënuar trajtimin e kurdëve etnik nga qeveria siriane, përfshirë edhe rreth 20 fëmijë të moshave nga 14 deri 17 vjeç, të cilët ishin burgosur për muaj të tërë pa dalë në gjyq. Amnesty International thotë se këta fëmijë janë keqtrajtuar dhe në disa raste edhe janë torturuar.

Autoritetet siriane arrestuan qindra njerëz, përfshirë edhe fëmijë, gjatë trazirave në rajonet kurde në mes të muajit mars. Më shumë se 20 njerëz u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën gjatë këtyre trazirave.

Shtetet e Bashkuara përkrahin dëshirën e popujve të Lindjes së Mesme dhe të të gjitha vendeve për liri dhe demokraci. Këtu përfshihet edhe Siria, që udhëhiqet nga një regjim autoritar, i cili mohon të drejtat civile dhe politike dhe strehon e përkrah terroristët ndërkombëtar. Presidenti Bush ka thënë se një Irak i lirë dhe sovran po shtron rrugën drejtë një lirie më të madhe politike në rajon.

“Krijimi i demokracisë në Irak po sjell shpresë tek reformatorët në mbarë Lindjen e Mesme dhe po dërgon një mesazh shumë të ndryshëm në Damask dhe Teheran. Një Irak i lirë dhe sovran është një humbje vendimtare për ekstremistët dhe terroristët sepse ideologjia e tyre e urrejtjes do të humbasë mbështetje në një vend të lirë, tolerant dhe të sukseshëm,” tha presidenti Bush.

Për miliona njerëz në Lindjen e Mesme, tha presidenti Bush, liria është mohuar për një kohë të gjatë. Dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë në fuqinë e tyre për t’i ndihmuar këta njerëz të gjejnë bekimet e lirisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG