Lidhje

Sporte në natyrë në lumin Kolumbia - 2004-07-11


Qyteti Hood River i shtetit Oregon në perëndim të Amerikës është ideal për ata që merren me sportin e rrëshqitjes në erë, një përshkrim figurativ i këtij sporti i cili në anglisht quhet windsurfing. Amatorët e këtij sporti në fakt rrëshqasin mbi ujë dhe lumbi Kolumbia që kalon në Hood River është vendi më i përshtatshëm për ta, sepse një grykë malore krijon këtu erëra të forta. Në fakt, qyteti Hood River njihet si epiqendra e botës për sportin e rrëshqitjes në erë.

Amatorët e këtij sporti rrëshqasin me rrymat e erës dhe me shpejtësinë e erës. Qyteti Hood River tërheq disa nga sportistët më të guximshëm, të cilët hidhen, rrotullohen dhe rrëshqasin mbi lumin Kolumbia. Gryka e këtij lumi formon një tunel natyror ere. Rrymat e ajrit lëvizin me shpejtësinë të madhe dhe krijojnë vorbulla të fuqishme.

Sportistët qëndrojnë mbi bordë dhe me lëvizjet e duarve dhe forcën e trupit drejtojnë velën. Një tjetër sport, kiteboarding, përdor një balonë e madhe e cila lidhet me bordën dhe krijon një ndjenjë të veçantë sikur fluturon.

Ekspertët e windsurfing i vënë në provë aftësitë e tyre në rrymat e erës së lumit, ndërsa amatorët e rinj praktikojnë në një zonë më të mbrojtur.

Daniela Cargill nga Portland i Oregonit ka bërë edhe më parë windsurfing dhe pohon se është sport i vështirë dhe do kohë të mësohet.

“Është vështirë të matesh me profesionistët në kanalin kryesor. Nëse nuk bllokohesh nga nervozizmi dhe frika, nuk është aq e vështirë. Duhet ta mbledhësh mendjen se edhe do të rrëzohesh dhe do të vritesh nganjëherë,” thotë Daniela.

Brian Schurton drejton një shkollë instruksioni për windsurfing. Ai filloi windsurfing vite më parë dhe tani u mëson të tjerëve këtë sport si në Hood River ashtu edhe në Jamaica. Brian thotë se kushdo mund ta praktikojë këtë sport:

“Pikërisht këtu qëndron edhe bukuria e këtij sporti. Ai kërkon aftësi mesatare dhe forcë fizike mesatare, pasi tani pajisjet janë shumë më të mira se sa 15-20 vjet më parë,” shpjegon Brian.

Brian tregon se ka pasur nxënës të moshave të ndryshme nga 8-75 vjeç. Ata që e filluan këtë sport në vitet ’80 dhe ’90 tani janë të rritur dhe sjellin fëmijët e tyre për të mësuar. 19-vjeçari Kieran Deveni mësoi nga i ati dhe tani merr pjesë në konkurime kombëtare dhe shpreson të bëhet kampion në windsurfing. Ai thotë se e tërheq liria që të ofron ky sport.

“Nuk je i lidhur me asgjë. Fuqia lëvizëze nuk gjenerohet nga ndonjë lëndë djegëse. Të vetmit elementë janë sportisti, uji, era dhe aparatura. Mund të bësh ç’të duash,” thotë Keiran.

Po të gjykosh nga numri i atyre që praktikojnë këtë sport e kupton se windsurfing është veprimtaria e preferuar sportive në këtë qytet të vogël të Oregonit. Për sa kohë që rrymat e erës do të rrahin Grykën e Kolumbias, ky qytet do të vazhdojë të jetë magnet për amatorët e windsurfing dhe kiteboarding.

XS
SM
MD
LG