Lidhje

Skaneri i ri ultrazanor ofron pamje me tri përmasa të fetusit - 2004-07-11


Një lloj i ri skaneri me valë ultrazanore po u jep prindërve dhe mjekëve një pamje shumë më të qartë për atë që ndodh brenda barkut të një gruaje shtatzënë. Kjo është veçanërisht diçka e mrekullueshme për prindërit, që mund të shohin një fotografi të qartë të fëmijës së tyre shumë përpara se ai të lindë. Teknologjia e re që ofron një pamje me tri përmasa të fetusit kur ai lëviz në bark, mund të jetë e dobishme që doktorët të përcaktojnë ndonjë problem me foshnjën. Por kjo teknikë ka patur një ndikim të papritur edhe tek debati mbi abortin.

Fotografitë dhe pamjet filmike të marra me teknologjinë e re tregojnë se një foshnje e palindur mund shtriqet, të godasë dhe të përkulet brenda barkut të nënës në një fazë shumë më të hershme nga ç’mendohej.

“Mund të shohësh lëvizje shumë komplekse të duarve, sesi foshnja fiton ndjesinë e hapësirës, hap gojën për gjumë, mund të shohësh gjithashtu sesi ngre qepallat e syve”.

Profesori Stuart Campbell, pionier britanik i teknikës me ultrasound thotë se teknologjia e re u ka dhënë mundësinë prindërve që të krijojnë kontakte me beben e tyre që para se ai të lindë.

“Nënat emocionohen jashtëzakonisht. Baballarët puthin ekranin dhe barkun e bashkëshorteve. Skanimi me dy përmasa nuk kuptohet shumë lehtë, por me këtë teknikë të re duket sikur sheh vërtet foshnjën dhe është shumë emocionuese”.

Doktor Campbell thotë se pamjet e përmirësuara nga brenda barkut janë të vlefshme për doktorët të cilët mund të mbikqyrin shumë më mirë zhvillimin e fetusit.

Por këtu qëndron edhe vështirësia për disa kundërshtarë të abortit. Ata shqetësohen se shumë gra mund të vendosin të abortojnë, kur të zbulojnë problemet e foshnjës me anë të metodës me valë ultrazanore.

Të tjerë kundërshtarë të abortit thonë se pamjet duhet të kenë efektin e kundërt, sepse sipas pikëpamjes së tyre, fotografitë dhe pamjet filmike tregojnë qartë se fetusi është qenie njerëzore. Ata thonë se shtriqjet, hapja e gojës, madje edhe buzëqeshjet dhe rrudhjet e vetullave nga fetuset tregojnë se aborti është vrajse.

Josephine Quintavalle, drejtore e një organizate britanike që është kundër abortit thotë se imazhet e reja do të ndryshojnë mendimin e shumë njerëzve në Britani, të paktën lidhur me faktin se deri në çfarë faze të shtatzanisë duhet të lejohet, ose jo aborti. Aktualisht aborti në Britani lejohet deri kur fetusi është 24 javësh. Teknologjia e re tregon se bebja fillon të shfaqë aktivitet që kur është 12 javëshe.

Por profesorja e politikave shoqërore Ellie Lee thotë se imazhet e reja lënë vend për keqinterpretim. Zonja Lee e Universitetit të Kentit thotë se lëvizjen e fetusit janë thjesht reflekse dhe nuk janë tregues të të menduarit, ose emocioneve.

“Fatkeqësisht ato po interpretohen shpesh si imazhe, që lënë të nënkuptohet se një fetus që në fazat fillestare të zhvillimit janë njerëz. Po konsiderohen si persona dhe përcjell ndjesinë se ka personalitet, gjë që mendoj se është shkencërisht e gabuar”.

Zonja Lee thotë se ata që kanë bërë studime për gratë që kërkojnë abortin thonë se teknologjia e re nuk do ta ndryshojë mendimin e grave për abortin. Ajo thotë se shumë gra abortojnë duke u nisur nga dyshimi nëse janë të zonjat për të qenë nëna. Por ajo shton se shumë gra mund të ndryshojnë mendim fotografitë shumë të qarta dhe të vendosin që ta mbajnë një fëmijë që në të vërtetë nuk duan ta mbajnë.

Campbell e pranon që kjo teknologji mund të ketë ndikim tek debati për abortin, por thotë se është e rëndësishme gjithsesi që ajo të përdoret.

Debati për abortin do të vazhdojë në Britani dhe vende të tjera, me një ritëm të ri të nxitur nga kjo teknologji e re. Ndërkohë mjekët do t’i përdorin fotografitë dhe videot për të përcaktuar problemet gjatë zhvillimit dhe prindërit do të gëzojnë kënaqësinë që të shohin bebet e tyre, para se ato të lindin.//ii

XS
SM
MD
LG