Lidhje

Rezistenca antinaziste dhe dinjiteti njerëzor - komploti kundër Hitlerit - 2004-07-22


Kjo javë shënon 60 vjetorin e njërit prej atentateve më të famshëm në histori - komploti i dështuar për të vrarë diktatorin gjerman, Adolf Hitler. Pasi erdhi në fuqi me zgjedhjet e vitit 1933, Hitleri vendosi një regjim totalitar duke ndërmarrë hapa gjithnjë e më brutale për të shuar opozitën ndaj sundimit të partisë naziste në Gjermani. Duke filluar nga viti 1939, regjimi nazist pushtoi një pjesë të mirë të Evropës dhe në këtë proces skllavëroi miliona njerëz në kampe përqendrimi ku shumë u vranë, duke përfshirë 6 milionë hebrenj të Evropës. Përballë një shtypjeje të tillë të pamëshirëshme, rezistenca e hapur e organizuar pësoi disfatë. Por në ilegalitet, njerëz të veçantë dhe grupe të vogla vazhduan t’i rezistojnë regjimit nazist.

Njëri prej grupeve antinaziste që ishte i vendosur për rrëzimin e Hitlerit, përfshinte në gjirin e tij teologun protestant Dietrich Bonhoeffer, diplomatin Ulrich von Hassel, dhe feldmarshallin Erwin Rommel. Me detyrën e vrasjes së Hitlerit u ngarkua Koloneli Claus von Stauffenberg, një veteran lufte i njohur. "Ne jemi betuar para Zotit se kjo punë do të bëhet sepse ky njeri është një e keqe e tmerrshme” thoshte von Stauffenbergu.

Më 20 korrik, 1944, von Stauffenbergu u takua me Hitlerin dhe me këshilltarët e tij në shtabin e ushtrisë. Në çantë ai kishte futur një bombë me sahat, shpërthimi i së cilës vrau katër vetë por jo Hitlerin. Von Stauffenbergu u arrestua dhe u pushkatua po atë ditë. Si ndëshkim për komplotin u ekzekutuan mijra gjermanë. Udhëheqësit kryesorë u nxorën para një gjyqi të montuar dhe me urdhër të Hitlerit u varën në çengela mishi me tela pianosh.

Njëri nga ata që u përpoqën të vrasin Hitlerin ishte lejtnanti 22 vjeçar Ewald-Heinrich von Kleist. Pas komplotit ai u arrestua dhe u internua në një kamp përqendrimi. Duke folur për atentatin e dështuar, Kleist tha se ”ne nuk mund të rrinim pa bërë diçka, sepse ato që këta kriminelë po bënin në emër të Gjermanisë ishin të tmerrshme."

Gjatë një ceremonie kishtare të organizuar kohët e fundit në Berlin, kryepeshkopi protestant i Gjermanisë, Wolfgang Huber, tha: "Shoqëria jonë, dhe kisha jonë, luftuan për një kohë të gjatë për të nderuar guximtarët e rezistencës naziste." "Ata që sakrifikuan jetën gjatë atyre ditëve nuk vdiqën kot. Shembulli i tyre jeton."

Peshkopi Huber tha se gjermanët duhet të jenë krenarë për burrat dhe gratë e 20 korrikut, ”sepse ata u ngritën për të mbrojtur vlerat universale. Ata e panë se po të rrinin duarkryq do të bëheshin bashkëfajtorë të regjimit dhe se rezistenca është një detyrë etike. Të gjithë ata, secili sipas mënyrës së tij, mbajtën qendrim në emër të çështjes së dinjitetit njerëzor."//ii

XS
SM
MD
LG