Lidhje

Venezuale përgatitet për referendumin për largimin nga posti të presidentit Chavez - 2004-07-22


Më 15 gusht, qytetarët në Venezuelë do të votojnë në një referendum për të larguar nga posti presidentin Hugo Chavez apo për ta lejuar atë të përfundojë mandatin e tij. Nëse zoti Chavez humbet referendumin, brenda 30 ditësh duhet të shpallen zgjedhjet e reja presidenciale.

Kushtetuta e Venezuelës e lejon mbajtjen e një referendumi të tillë nëse të paktën 2 presje 4 milion shtetas e kërkojnë këtë me një peticion. Më shumë se 3 milion firma u mblodhën nga fundi i vitit të kaluar për të kërkuar referendumin për rrëzimin e presidentit Chavez.

Presidenti Chavez u zgjodh në vitin 2000 si një kandidat popullor. Megjithatë, pakënaqësia nga administrata e tij çoi në një grevë kombëtare në dhjetor 2002, duke ndalur të gjithë veprimtarinë ekonomike për më shumë se një muaj. Trazirat e vazhdueshme politike në Venezuelë kanë ngadalësuar investimet e huaja dhe kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë.

Ka rëndësi që “ky referendum të zhvillohet në një mënyrë të hapur, të lirë, të drejtë dhe transparente,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher. Shtetet e Bashkuara “kanë bashkëpunuar me qeveri të tjera si dhe Organizatën e Shteteve Amerikane” për të mbështetur një zgjidhje kushtetuese, demokratike, paqësore dhe zgjedhore” për gjendjen politike të Venezuelës, siç kërkon Rezoluta 833, e miratuar nga Organizata e Shteteve Amerikane:

“Çështja është politika dhe sistemi i Venezuelës. Nëse ky proces do të jetë i drejtë dhe i hapur. Nëse qytetarët do të kenë të drejtën të vendosin, ose nëse demokracia e tyre do të njolloset nga veprimet e atyre individëve që synojnë të përdorin dhunën, të mbyllin median si dhe të kufizojnë veprimtarinë politike,” tha zoti Boucher.

Më 15 gusht, populli i Venezuelës merr vendim.

XS
SM
MD
LG