Lidhje

Maqedoni: Parlamenti fillon debatin, që mendohet të zgjasë me ditë të tëra - 2004-07-26


Debati që folloi sot në Parlamentin e Maqedonisë paramendohet të zgjasë me ditë të tëra meqë opozita maqedonase ka paralajmëruar se do të paraqesë rreth 200 amendamente, ndërkohë që koha e diskutimit të deputetëve nuk do të jetë e kufizuar. Në seancë do të bëhet shqyrtimi i propozimeve të qeverisë mbi organizimin territorial të komunave, propozimin mbi komunat brenda qytetit të Shkupit, mbi financimin dhe taksat e komunave.

Partia maqedonase VMRO-DPMNE e opozitës, përkundër paralajmërimeve, mori pjesë në fillimin e debatit të kësaj séance, që parashihet të jetë maratonike. Por, ajo së bashku me parti të tjera të vogla maqedonase, të cilat e kundërshtojnë hartën e re të komunave, zhvilluan një protestë të madhe sonte në qendër të Shkupit.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare vendosën ta braktisin seancën e Parlamentit, duke thënë se projekt-ligjet e decentralizimit të paraqitura nga qeveria janë kufizuese për shqiptarët. Deputeti Zamir Dika i kësaj partie shqiptare të opozitës, duke folur në një konferencë për median, tha se marrëveshja midis partive të koalicionit qeveritar nuk shkon në favor të shqiptarëve dhe se, sipas tij, ajo është bërë për të ngritur ndikimin politik të tyre tek elektorati. PDSH paralajmëron se do sensibilizojë opinionin publik shqiptar në vend se ligjet nxisin kriza, ndërkohë që nuk përjashton mundësinë e thirrjes për mosbindje qytetare.

Në bazë të projekt-ligjit të qeverisë, Maqedonia nga 123 komuna do të ketë 80 komuma ndërsa numri i tyre do të zvogëlohet edhe me gjashtë të tjera deri në vitin 2008.

Shkupi, në bazë të vendimit të qeverisë, do të jetë dygjuhësor: gjuha shqipe do të jetë gjuha e dytë zyrtare në kryeqytet, ndërsa ajo që nuk është e pranueshme për një numër të madh intelektualësh nacionalistë maqedonas, është më tepër mbishkrimi i emrave të rrugëve dhe institucioneve edhe në shqip në Shkup se sa përdorimi i gjuhës shqipe në komunikim me institucionet e kryeqytetit.

Struga, gjithnjë sipas vendimit të qeverisë, do të mbizotërohet nga shqiptarët, ndërsa Kërçovës në vitin 2008 do ti bashkohen komunat e vogla përreth të banuara me shumicë shqiptare.

Procesi i decentralizimit shikohet si çëshjta kyçe e Marrëveshjes së Ohrit. Komuniteti ndërkombëtar ka inkurajuar atoritetet shtetërore maqedonase që të vazhdojnë në këtë mënyrë rrugën e vendit të tyre drejt integrimeve euro-atlantike.

Grupe maqedonasish, nën organizimin e një trupi që quhet Këshilli gjithmaqedonas, i afërt me VMRO-DPMNE-në, kanë ndërmarrë një nismë për të mbledhur 150 mijë nënshkrime në mënyrë që të shpallet një referendum ku do të kundërshtohej vendimi për ndarjen e komunave. Edhe nëse arrihet shifra e nevojshme e nënshkrimeve dhe nëse shpallet referendumi, vështirë mendohet se në të do të dalin mbi 800 mijë votues për t’iu kundërvënë organizimit territorial të komunave. Por, nëse këto zhvillime ndodhin, përfshirë zvaritjen e procresit në Parlament, atëherë ka gjasa që zgjedhjet vendore të caktuara për më 17 tetor të shtyhen për një muaj më vonë.

//ze//

XS
SM
MD
LG