Lidhje

Irak: Marrëveshje paqeje në Naxhaf - 2004-08-26


Këshilltarë të klerikut më të lartë shiit të Irakut, Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, thonë se ai ka arritur një marrëveshje me me klerikun radikal shiit, Maqtada al-Sadër, për t’i dhënë fund një kryengritjeje shiite 3 javore.

Javën e kaluar, Maktada Al-Sadër ra dakord të tërhiqte luftëtarët e tij nga xhamia e shenjtë e Imam Aliut dhe t’ua dorëzonte ndërtesën autoriteteve fetare të Naxhafit, por dështoi të mbante premtimin e tij.

Ndërkohë, një grup militantësh në Iraq që mban 7 pengje nga India, Kenya dhe Egjipti thotë se i ka hequr shumicën e kërkesave të tij dhe se do t’i lirojë pengjet, në se punëdhënësi i tyre ndalon veprimtarinë e tij në Irak.

Grupi, i vetë-quajtur “Mbajtësit e Flamujve të Zinj”, i mban pengjet për më tepër se 1 muaj dhe i ka kërcënuar ata me ekzekutim. Në një video të transmetuar sot në televizionin arab, pengjet: tre nga Kenya, tre indianë dhe një egjiptian, paraqiteshin të ulur në shesh, ndërsa një zë, i cili nuk paraqitej në kamera, lexonte një deklaratë. Nuk ka patur komente të menjëhershme nga punëdhënësi i pengjeve nga Kuwajti.

Po ashtu, një grup gazetarësh irakianë dhe të huaj thanë se u ndaluan nën tytat e pushkës nga policia irakiane, dje vonë në Naxhaf. Rreth 50 gazetarë po qëndronin në një hotel dhe disa prej tyre ishin duke ngrënë darkë, kur disa policë irakianë hynë aty.

Dëshmitarët thanë se policia hapi zjarr në ajër, dhe për pak sa nuk qëlloi një kameraman. Pastaj gazetarët hynë në një mikrobuz dhe në një kamjon dhe u çuan në një stacion policie, ku u mbajtën për rreth një orë para se të liroheshin.

Disa agjenci lajmesh thonë se po shqyrtojnë mundësinë që t’u paraqesin një ankesë zyrtare autoriteteve irakiane rreth incidentit.

//ze//

XS
SM
MD
LG