Lidhje

Studimet tregojnë se amerikanët marrin gjithnjë e më pak pushime - 2004-09-06


Amerikanët e shohin Ditën e Punës si një ditë feste që shënon fundin e periudhës së pushimeve verore. Por jo të gjithë amerikanët do të kthehen në punë të qetësuar dhe të pushuar. Studimet tregojnë se amerikanët po marrin gjithnjë e më pak pushime, ata po largohen nga puna për periudha më të shkurtra, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të punojnë edhe në kohën që duhet të argëtohen.

David Forthuber thotë se atij i pëlqen puna që bën për një kompani amerikane telekomunikacioni. Ky banor nga Orlando e Floridës, merr një rrogë të mirë, ka përfitime të mira shëndetësore dhe ndihet me fat që ka tre javë pushime të paguara në vit. Megjithatë, ai punon 50 orë në javë, nganjëherë edhe më shumë, dhe thotë se do të ishte e pamundur të merrte më shumë se një javë pushim në të njëjtën kohë.

“Ka kaq shumë punë sa nëse merr dy javë pushim, mbetesh shumë prapa dhe të mbeten kaq shumë punë pa u kryer. Ndërkohë duhet të gjesh një ose disa kolegë për të të mbuluar në mënyrë që puna jote të mos mbetet pabërë.”

Aktivisti dhe shkrimtari Joe Robinson beson se shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara nuk i marrin pushimet nga puna. Ai thotë më shumë se 20 përqind nuk kanë fare pushime të paguara. Zoti Robinson është autor i librit “Puno për të Jetuar”.

“Më bën përshtypje fakti se amerikanët gjithnjë nguten gjatë udhëtimeve të tyre për të kapur fluturimet e kthimit. Është bërë pothuajse e paligjshme të provosh të marrësh pushime. Nuk ka ligj si në vendet e tjera. Në Kinë njerëzit marrin tre javë pushim me ligj, Australia ka 4 javë me ligj, në Europë marrin 4 deri në 5 javë me ligj. Kurse mesatarja e amerikanëve arrin në 8.1 ditë pas një viti dhe 10 ditë pas tre vjetësh. Dhe shumë herë, këto ditë janë vetëm në letër."

Sipas një ankete të këtij viti e shërbimit të udhëtimeve në Internet Expedia tregoi se 30 përqind e amerikanëve nuk do t’i marrin pushimet që u takojnë për këtë vit. Një arsye për këtë, thotë Joe Robinson, është se bizneset amerikane po përpiqen të shkurtojnë shpenzimet duke zvogëluar krahun e punës dhe duke ofruar më pak përfitime për punonjësit e tyre. Megjithatë, ai beson gjithashtu se amerikanët për një kohë të gjatë, që nga koha e kolonizuesve të parë të vendit, e kanë matur vlerën personale me rezultatin e tyre në punë.

Studimi i udhëtimeve të Expedia-s zbuloi gjithashtu se një e treta e amerikanëve tani marrin punë me vete në pushim. Dan Brooks është jurist teknologjie në zonën e Washingtonit. Gjatë verës ai e kalon kohën në shtëpinë e pushimit të familjes së tij në shtetin verior të Maine. Por ai nuk pushon kurrë së punuari.

“Babai im, i cili e ka ndërtuar këtë vend, nuk sillte punë me vete, por gjatë 50 viteve të fundit ndodhi një ndryshim.”

Ky ndryshim ka të bëjë me faktin se zoti Brooks endet mes aktiviteteve të kohës së lirë dhe detyrave të punës gjatë kohës që është me pushime, duke filluar me kontrollimin e postës elektronike si gjënë e parë çdo mëngjes.

“Unë kam klientë të cilëve mund t’u shërbej po me aq lehtësi prej këtu sa edhe prej zyrës time. Teknologjia ka arritur që për shkak të profesionit tim, unë mund të siguroj çdo lloj paisjeje që kam në zyrë edhe në kasollen time këtu.”

Dan Brooks beson se pushimet e tij gërshetuar me punën pasqyrojnë atë që presin klientët e tij dhe zgjedhjen e tij personale. Joe Robinson thotë se pushimet bëjnë që punonjësit të mos lodhen aq shumë sa të ulet produktiviteti. Ai u vë në dukje kompanive amerikane, se si bizneset në të gjithë botën, planifikojnë për mungesat e punonjësve që më përpara, dhe stërvisin punonjës që të zëvendësojnë kolegët e tyre në pushim.

//ze//

XS
SM
MD
LG