Lidhje

Williams, FBI po intesifikon luftën kundër klaneve shqiptare të krimit në Amerikë - 2004-09-08


Zeri Amerikes:- Zoti Williams, sa i vërtetë është kërcënimi që paraqet mafia apo krimi i organizuar shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara. ?

Williams:- Është gabim të thuhet se kemi të bëjmë vetëm me krimin e organizuar shqiptar por atë ballkanik në përgjithësi. Por ka çështje specifike që lidhen me Shqipërinë. Por, po është një problem në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Në 12 vitet e fundit kemi vënë re një rritje të theksuar të krimit të organizuar. Momentalisht disa nga klanet shqiptare të krimit të organizuar në Shtetet e Bashkuara kanë lidhje edhe me familjet mafioze të La Cosa Nostras. Ata kanë patur lidhje historike dhe ne e shohim me shqetësim këtë fenomen. Këto lidhje kanë arritur deri në atë pikë ku individët shqiptar të krimit të organizuar po sfidojnë disa nga familjet mafioze të La Cosa Nostres se dobësuar nga hetimet, për dominim dhe kontroll. rupet kriminale kanë lidhje me rajonin e Ballkanit, kanë lidhje me klanet e atij rajoni, përfshi këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi e vende të tjera.

Zeri Amerikes:- Cila është veprimtaria me të cilën merren ata, droga , trafiku prostuticioni ?

Williams:- Këto që the janë disa nga veprimtaritë me të cilat merren ata. Ata janë të përfshirë në të gjitha llojet tradicionale të aktiviteteve kriminale. Siç është kërcënimi për para, prostuticioni, trafiku i drogës dhe armëve, trafiku njerzor në këto vende drejt Shteteve të Bashkuara. Dhe ky është edhe një nga problemet themelore, sepse na shqetson fakti se kush futet në vendin tonë, për sa i përket lidhjeve me terrorizmin. Këto grupe janë të përfshira në grabitje dhe bixhoze ilegale. Pra ato janë të angazhuara në të gjitha aktivitetet kriminale që u sjellin atyre fitime, përfshi këtu edhe pastrim parash. Disa nga klanet mafioze të Ballkanit, dhe disa nga Shqipëria kanë patur lidhje tradicionale për dekada të tëra me mafian La Cosa Nostra. Kështu që kanë patur marrëdhënie të dyanëshme dhe kanë mësuar teknikat se si t’u shpëtojnë forcave të rendit. Ata gjithashtu dinë se si t’i frikësojnë viktimat e tyre. Një mënyrë për të fituar pushtet është të diturit se si të friksosh njerëzit. Dhe kjo vihet re kur me anë të dhunës këto grupe marrin nën kontroll klubet e natës dhe zhvillojnë aktivitete bixhozi. Pra këtyre grupeve u duhet të sigurojnë dominim të zonave të caktuara.

Zeri Amerikes:- Presidenti Bush thotë se mënyra më efikase për të luftuar terrorizmin është goditja e terrorizmit aty ku fillon... juve si agjenci kombëtare amerikane, FBI, si e zhvilloni këtë. ?

Williams:- Kemi më shumë se 12 vjet që po godasim krimin e organizuar që e ka bazën jashtë Amerikës por që vepron edhe këtu. Këtë lloj lufte e quajmë PARANDALIM. Nga vetë natyra, organizatat kriminale zhvillojnë veprimtari globale dhe ne duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtar në mënyrë që të jemi të suksesshëm. Kështu që në çdo kohë kur Shtetet e Bashkuara janë të intersuara rreth një problemi të caktuar, ne na duhet të shkojmë në këto vende dhe të punojmë me ta, sepse edhe këto vende po vuajnë pasojat negative të aktiviteteve kriminale të këtyre organizatave.

Zeri Amerikes:- A mendoni ju se qeveria shqiptare është e aftë dhe është në gjendje që të luftojë krimin e organizuar. ?

Williams:- Ne kemi ndërtuar marrdhënie pune me Shqipërinë. Kohet e fundit FBI- ja kishte përfaqësuesit e saj në Shqipëri. Autoritetet atje kanë qënë shumë të hapura dhe kanë bashkëpunuar me ne, dhe pres që këto marrëdhënie të shtohen edhe më tej me autoritetet shqiptare për goditjen e këtyre grupeve të krimit të organizuar shqiptar. Mendoj se autoritet shqiptare e kuptojnë drejt se krimi i organizuar ka një impakt negativ në vendin e tyre, sikurse ka edhe tek Shtetet e Bashkuara. Ne i kushtojmë vëmendje gjithashtu edhe nivelit të bashkëpunimit të autoriteteve me FBI.

Zeri Amerikes:- Çfarë e bën të vështirë për FBI-në që të luftojë këtu në Shtetet e Bashkuara krimin e organizuar shqiptar. ?

Williams:- Edhe krimi i organizar shqiptar, njëlloj si ai rus, italian, apo aziatik veprojnë në fshehtësi. Ata kërkojnë besnikëri nga anëtarët e grupit. Ata kërkojnë të veprojnë sipas kodit të heshtjes. Pra me fjalë të tjera, edhe po të kapen anëtarët ata nuk tregojnë. Por ne kemi arritur që ta thyejmë këtë gjendje heshtje në La Cosa Nostrës. Kemi arritur ta kapërcejmë këtë pengesë. Dhe mendoj se do të jemi të suksesshëm në këtë fushë në luftën kundër krimit të organizuar ballkanik. Edhe pse kanë një strukturë të organizur klanesh dhe shumica e aktiviteteve realizohen nga familje kriminale, por unë mendoj se do të kemi sukses në këtë fushë sikurse kemi patur në luftën kundër mafias tradicionale të familjeve La Cosa Nostra.

Zeri Amerikes:- Dhe një pyetje paksa e veçantë...a keni ndonjë agjent që është i futur në këto grupe, ndonjë informant. ?

Williams:- Ne kemi teknika që përdorim për të cilat nuk do të flas. Por ne përdorim lloje të ndryshme teknikash hetimi për të arritur misionin tonë.

Zeri Amerikes:- Dhe para se të ndahemi a doni të shtoni diçka, a doni ti drejtoni shikuesve tanë me ndonjë këshillë.

Williams:- Dua gjithashtu të shfrytëzoj rastin t’u drejtohem të gjithë atyre që kanë informacione rreth krimit të organizuar dhe që duan ta denoncojnë atë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë saj, që të kontaktojnë zyrat lokale të FBI-së në Shtetet e Bashkuara apo në Evropë. Në Evropë ata mundë të kontaktojnë zyrtarët tanë të atashuar pranë përfaqësive diplomatike amerikane. Gjithashtu ata mundë të kontaktojnë seksionin tim, pra seksionin ndërkombëtar të krimit të organizuar në zyrat qendrore të FBI-së këtu në Washington, përmes telefonit në numrin 202-324-3000 ose 202-324-5625. Të gjitha informacionet do të jenë konfidenciale. Ne kemi nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e qytetarëve në Shtetet e Bashkuar dhe shtete të tjera që ta luftojmë me efikasitet këtë problem.

XS
SM
MD
LG