Lidhje

Mbipesha dhe sëmundjet e zemrës; Tensioni i gjakut tek të moshuarit - 2004-09-14


Një studim tregon se edhe personat me mbipeshë trupore mund të arrijnë një nivel të gjendjes fizike që i mbron ata nga problemet e zemrës. Afro një e treta e amarikanëve të rritur vuan nga mbipesha trupore. Shpesh është folur rreth problemeve që mund t’i shkaktojë shëndetit kjo mbipeshë. Por rezultatet e studimit të ri lënë të kuptohet se vetëm rënia nga pesha apo operacioni ndoshta nuk përbëjnë kushtin e vetëm për parandaliminn e sëmundjeve të zemrës. Pyetje të thjeshta rreth gjendjes fizike mund të japin informacione që tregojnë nëse gratë janë në rrezik për hasur probleme në zemër Këto pyetje janë; A munden ato të ngjisin shkallët, duke mbajtur çantat e rënda të ushqimeve, dhe a janë ato në gjendje të vrapojnë në distanca të shkurta?.

Doktor Timothy Wessel pranë kolegjit mjekësor të Floridës thotë se gratë që u përgjigjen me “po” këtyre pyetjeve kanë pak rrezik të ndeshen me probleme në zemër, edhe nëse ato vuajnë nga mbi pesha trupore. Në këtë përfundim arriti doktor Wesel dhe kolegët e tij pas studimit mbi sëmudnjet e zemrës, studim që u krye edhe në bashkëpunim me 5 institute kombëtare të shëndetit. “Ekzistojnë shumë mënyra për rënien nga pesha”, thotë doktor Wesel, “përfshi dieta të veçanta ose me operacion. Megjithatë, studimi tregon se mungesa e gjendjes së mirë fizike është një faktor më i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, sesa të qënit mbi peshë.” Shkencëtarët shqyrtuan përgjigjet e mbi 900 grave që thonin se kishin simptoma të sëmundjeve të zemrës. Këto gra iu nënshtruan vizitës dhe analizave mjekësore për të përcaktuar gjendjen e tyre shëndetsore. Studimi zgjati 4 vjet. “Ne pamë se shumë gra që do të klasifikoheshin si mbi peshën normale në fakt ishin në gjendje të kryenin një numër veprimtarish fizike, të cilat anketa jonë i gjykoi si fizikisht të përshtashëme. Madje edhe gratë që kishin faktorë të tjerë rreziku si diabeti apo bllokim arteresh ishin më të mbrojtura nga problemet e rënda të zemrës, nëse gjendja e tyre fizike ishte pak a shumë e mirë. “Pra, nëse ju dëshironi të dobësoheni për të pakësuar rrezikun nga sëmundjet e zemrës, ju duhet të siguroheni që të shtoni nivelin e veprimtarive fizike pasi vetëm rënia nga pesha nuk mjafton”, thotë doktor Timothy Wessel. Doktor Wesel thekson se mbi pesha vazhdon të jetë një faktor i madh rreziku për shumë probleme shëndetsore dhe studimi i tij nuk duhet kuptuar se njerëzit nuk duhet të humbasin peshën e tepërt.

Hipertensioni tek të moshuarit

Disa mjekë në Shtetet e Bashkuara thonë se hipertensioni sistolik tek personat e moshuar nuk duhet lënë pa u trajtuar. Tensioni sistolik i gjakut është numri i madh dhe diastolik është i vogli. Pra në se tensioni i gjakut është 14 me 8, 14-ta tregon shkallën e tensionit sistolik. Sipas një studimi, tensioni i lartë sistolik tek njerëzit 60 vjeç e sipër ndoshta nuk trajtohet sa duhet në Shtetet e Bashkuara. Mjekja Sravat Çaudri, thotë se ajo dhe kolegët e saj rishqyrtuan të literaturën mjekësore të 38 vjetëve të fundit duke analizuar rreth 1 mijë studime, për të parë se si është trajtuar hipertensioni sistolik tek të moshuarit.

Mjekja Çaudri pranë spitalit të veteranëve në shtetin Kenektikat e kreu këtë studim në bashkëpunim me mjeken Xhoana Fudi pranë universitetit Jell. Ata thonë se më parë mendohej se presioni sistolik në nivelin 14 ose më lartë ishte thjesht pjesë e një procesi normal të plakjes. “Por tani ne e dimë”, thotë mjekja Fudi, “se kjo sjell rrezik të madh dhe se duke trajtuar dhe ulur tensionin e gjakut, ne mund të pakësojmë rastet e hemoragjive cerebrale dhe sëmundjeve të zemrës.” Ndërsa mjekja Çaudri thotë se të dhënat e shumta mbështesin idenë e trajtimit të pacientëve që kanë një presion sistolik deri në nivelin 16. Studimi tregoi se ekzistojnë pak prova që mbështesin trajtimin e pacientëve me presion sitolik nga 14 deri në 16. Por një shkallë e tillë konsiderohet e lartë dhe mund të përbëjë rrezik për të moshuarit. Mjekja Fudi thotë se është me rëndësi që pacientët dhe mjekët të punojnë së bashku për të kuptuar dhe përcaktuar planin e trajtimit që i përshtatet të sëmurit. Gjatë studimit u vu re se pacientët e moshuar me tension sistolik 16 ose më shumë, përfitonin më shumë nga dy lloj ilaçesh; diuretikët që pakësojnë lëngjet e trupit dhe bllokuesit e kanaleve që transportojnë kalciumin në zemër dhe që qetësojnë venat.

XS
SM
MD
LG