Lidhje

MGM pritet të blihet nga SONY - 2004-09-15


Kërkesa e minutës së fundit të gjigandit të mediave Sony për të blerë studion e famshme të Hollivudit Metro Goldwyn Mayer mund të vërë nën kontrollin e Sony-t, një arkivë prej mbi 4 mijë filmash me metrazh të gjatë. Marrëveshja e arritur të hënën në darkë e vë Sony-n në krye të një partneriteti që ka rënë dakord në parim për ta blerë MGM-në për rreth 3 miliardë dollarë.

Marrëveshja është një arritje e madhe për Sony-n, që deri të dielën konsiderohej një pretendent pa rëndësi, në krahasim me kompaninë Time Warner, që hoqi dorë po të hënën nga oferta.

Analistët thonë se marrja nën kontroll e arkivës së gjerë të filmave, e rrit përmbajtjen që Sony ofron tani në disqe.

“Sony fiton në dy drejtime nga kjo marrëveshje. Përfitimi i parë, ndoshta jo aq i madh, është se arriti të shmangë një nga konkurrentët në prodhimin e filmave me metrazh të gjatë. Megjithatë vitet e fundit, MGM kishte filluar t’i kufizonte aktivitetet e veta në atë fushë. Por ndoshta përfitimi më i madh për Sony-n, janë filmat me metrazh të gjatë, që MGM-ja i ka në arkivat e saj”, thotë Erik Telli, analist i industrisë së Hollivudit.

Sony deklaroi gjithashtu se ka arritur në një marrëveshje shpërndarjeje me Korporatën Comcast, kompania më e madhe që ofron shërbimet me pagesë në televizion, që do të bënte të mundur që ajo të ofronte materialet e Sony-t dhe firmës MGM.

Kjo do të ishte hera e tretë që investitori miliarder Kirk Kerkorian shet firmën MGM, që dikur u bë e njohur për filmat e famshëm si “Singing in the Rain”, “Meet me in Saint Luois” dhe “Gone with the Wind”.

Kompania japoneze nuk e ka mbajtur dot më parë premtimin e përsëritur shpesh për një kombinim me interes të dyanshëm mes elektronikës dhe artit.

Përpjekjet e Sony-t në fushën e filmit, muzikës dhe lojrave në video kanë sjellë arritjet e tyre, por ato asnjëherë nuk kanë qenë aq të mëdha sa t’i rrisin shitjet e prodhimeve të tij, më shumë se rivalët.

MGM-ja tha se drejtuesit e saj do t’ja rekomandojnë bordit shkrirjen e kompanive deri më 27 shtator.

MGM-ja ka në arkivat e saj filma të tillë si Rocky dhe Xhejms Bond, por filmi “Gone with the Wind” nuk është pjesë e marrëveshjes.

Warner Brothers e bleu filmin dhe po e nxjerr në qarkullim në disqe videosh dixhitale, nën emrin e firmës së vet.

Sipas analistëve, arkiva e filmave të MGM-së do të sjellë 440 milionë dollarë në 2004-ën, duke shfrytëzuar vetëm 36 për qind të titujve të tij në format videoje dixhitale.

XS
SM
MD
LG