Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike miratoi një rezolutë që i kërkon Iranit të ndalë menjëherë programin e tij të pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret për armë bërthamore.
Agjencia e OKB-së caktoi 25 nëntorin si afat për të shqyrtuar plotësisht dhe përfundimisht veprimtaritë e Iranit në fushën bërthamore, por nuk e kërcënoi Teheranin me sanksione të menjëhershme.
Rezoluta e miratuar dje nga agjencia lë hapur mundësinë që zyrtarët e saj të rekomandojnë vendosjen e sanksoneve nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nëse Irani nuk vepron në përputhje me dispozitat e saj. Bordi i agjencisë do të mblidhet në nëntor për të vendosur se çfarë masash të merren.
Zyrtarët amerikanë thanë dje se rezoluta përcjell mesazhin e qartë se në qoftë se Teherani vazhdon programin bërthamor, çështja do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit.
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin se ka një program të fshehtë armësh bërthamore, por Teherani i mohon këto akuza.