Lidhje

Mbetet ende shumë për të bërë për të drejtat e grave në Irak dhe Afganistan - 2004-09-19


Veprimtare kryesore të grave nga Afganistani dhe Iraku thonë se ndërhyrja amerikane ka qenë vetëm pjesërisht e suksesshme për sa i përket çlirimit të grave në vendet e tyre. Në shumë raste, thonë ata, ndaj grave vazhdojnë abuzimet, rrëmbimet dhe shtypja, megjithëse operacionet ushtarake i kanë përmbysur udhëheqësit tiran. Disa mbrojtëse të të drejtave të grave vizituan këtë javë Nju Jorkun, për të diskutuar mbi shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar ndihmë gjatë një konference për gratë dhe pushtetin. Presidenti Bush shpesh përmend lirinë për gratë si simbol të suksesit në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht në Afganistan.

“Ai vend ka tani një kushtetutë të re, që garanton zgjedhje të lira dhe pjesëmarrje të plotë të gruas në shoqëri. Po hapen biznese, po ngrihen qendra të kujdesit shëndetësor dhe fëmijët afganë janë kthyer në bankat e shkollës”,- thotë Presidenti.

Veprimtaret nga Afganistani e pranojnë se është bërë një farë përparimi që nga përmbysja e regjimit taleban, vajza të reja po shkojnë në shkolla në kryeqytetin Kabul dhe në disa zona, gratë lejohet të punojnë jashtë shtëpisë. Por Zoya, anëtare e një grupi të quajtur Gratë Revolucionare të Afganistanit, thotë se përmirësimet e kohëve të fundit janë të kufizuara dhe se gjendja e grave po keqësohet në pjesë të tjera të vendit.

“Ato nuk mund të dalin nga shtëpia të pashoqëruara nga ndonjë mashkull i afërm, nuk lejohen të shkojnë në shkollë dhe kanë probleme shëndetësore. Kështu që ne mendojmë se bombat në Afganistan, ndërhyrja amerikane nuk e ka ndryshuar gjendjen, sepse një grup fondamentalist u zëvendësua me një tjetër.”- thotë ajo.

Zoya thotë se Aleanca Veriore e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është përgjegjëse për vdekjen e 50 mijë civilëve që nga viti 1992 deri në vitin 1996 dhe ka kryer krime kundër grave. Tani, thotë ajo, shumë gra afgane ende janë të detyruara të mbulohen me perçe dhe një numër alarmues grash vazhdojnë të rrëmbehen dhe të keqtrajtohen nga komandantë fisnorë në fuqi.

Zoya e rrëfeu historinë e saj para grave amerikane në një konferencë në New York. Ajo dhe gra të tjera veprimtare nga Afganistani dhe Iraku po i nxisin gratë amerikane të bëjnë përpjekje për liri të qëndrueshme për gratë jashtë Shteteve të Bashkuara. Zoya nuk është e vetmja që thotë se përhapja e fondamentalizmit islamik nuk po lejon sigurimin e të drejtave të barabarta për gratë e rajonit.

Yanar Mohammed është botuese e gazetës irakiane "Al-Mousawat", që do të thotë barazi. Ajo ka ndihmuar në ngritjen e qendrave ku strehohen gratë e keqtrajtuara që kërkojnë mbrojtje që të mos bëhen pre e vrasjeve për çështje nderi.

Zonja Mohammed thotë se grupet që janë kundër të drejtave të grave u fuqizuan edhe më shumë pas përmbysjes së Saddam Husseinit. “Fatkeqësisht me këtë luftë në Irak, liria po përdoret nga islamistët, që ta bëjnë Irakun siç duan ata. Ata shkojnë në minaretë e xhamive dhe predikojnë që gratë të veshin perçe dhe veshjet myslimane”,- thotë ajo.

Administrata amerikane shprehet vazhdimisht entuziaste lidhur me shpresën për demokraci në Irak, edhe pas njoftimeve se zyrtarët e zbulimit janë mosbesues për mundësinë e qëndrueshmërisë. Disa vëzhgues druhen se ndasitë etnike brenda vendit mund të ashpërsohen, për shkak të përplasjeve midis atyre që nxisin islamizmin, si një burim legjislacioni dhe atyre që besojnë në legjislacionin laik. Veprimtarët thonë se shumë nga të drejtat e grave rrezikohen në Irakun dhe Afganistanin e pasluftës.// lk //

XS
SM
MD
LG