Lidhje

Kosovë: nesër fillon fushata për zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit - 2004-09-21


Nesër në Kosovë fillon fushata 30 ditëshe e përpjekjeve të partive politike për të siguruar sa më shumë vende në Parlamentin e ri, që pritet të dalë nga zgjedhjet e 23 tetorit. Ndonëse ishte planifikuar që fushata parazgjedhore të fillojë më 23 shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi vendimin që ajo të fillojë të mërkurën dhe të përfundojë më 21 tetor, kur në mesnatë fillon heshtja parazgjedhore.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen-Petersen, në një letër drejtuar qytetarëve të Kosovës, vlerëson se këto mund të jenë zgjedhjet më të rëndësishme deri më tash.

Parlamenti dhe qeveria që do të zgjidhen, do ta udhëheqin Kosovën në një periudhë të përparimit drejt kohës së vlerësimit të përmbushjes së standardeve në mesin e vitit 2005. Po qe se rezultatet e vlerësimit janë pozitive, atëherë rruga e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës do të jetë e hapur, ndërsa përfaqësuesit e zgjedhur do të luajnë rol shumë të rëndësishëm, thuhet në letrën e zotit Jessen-Petersen.

Votuesit e Kosovës kanë përgjegjësi që të zgjedhin institucione që do të punojnë në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi për të ardhmen e sigurtë për të gjithë qytetarëte e një Kosove shumëetnike. Këto institucione kanë për detyrim t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të të gjithë individëve, e posaçërisht sigurisë së të gjitha komuniteteve.

Shefi i UNMIK-ut ka bërë thirrje për një fushatë zgjedhore ku do të respektohen rregullat e domosdoshme për zgjedhje të lira e të drejta. Katër deri në gjashtë javët e ardhshme do të përcaktojnë nëse Kosova është e gatshme ta marrë një hap tjetër të rëndësishëm përpara në rrugën për t’u bërë anëtare e respektuar dhe e nderuar e rajonit, dhe ta vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, thuhet në letrën e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen.

Tridhjetedy parti politike, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 tetorit, zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovën e pasluftës. Deri tani vetëm një parti më e vogël politike nga radhët e komunitetit serb është regjistruar për të marrë pjesë në votime, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e autoriteteteve vendore dhe ndërkombëtare për të bindur pjestarët e këtij komuniteti që të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo çështje është bërë temë diskutimesh edhe në takimet që shefi i UNMIK-ut Jessen-Petersen po zhvillon aktualisht me zyrtarë të lartë të vendeve të Grupit të Kontaktit në New York.

XS
SM
MD
LG