Lidhje

Banka Botërore nuk e luajti rolin e vet për parandalimin e skemave piramidale - 2004-09-30


Një ish-zyrtar i Bankës Botërore duke i hedhur një vështrim rolit të këtij institucioni në Evropën Juglindore në dekadën e fundit, e sheh me keqardhje faktin që Banka nuk arriti të parandalonte skemat piramidale në Shqipëri. Ish-zëvendës presidenti i rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore, Johannes F. Linn tha gjithashtu të mërkurën se Shqipëria ishte një nga historitë e suksesshme përsa i takon zhvillimit, duke parasysh prapambetjen ku ishte kur doli nga komunizmi. Ai dha një konferencë shtypi me pasardhësin e tij në Bankën Botërore, Shigeo Katsu. Zoti Linn, që aktualisht është ekspert në Institutin Brookings i përmendi skemat piramidale si një nga dukuritë që Banka duhet të kishte ndihmuar t’i parandalonte, por ai tha gjithashtu se Shqipëria ishte një rast suksesi në këto 10 vitet e fundit.

Ish-zyrtari i Bankës Botërore tha me një ndjenjë krenarie se edhe gjatë ngjarjeve të vitit 1997, projektet e Bankës Botërore nuk u shkatërruan, por pikërisht aty shprehu keqardhjen për mosparandalimin e skemave piramidalle

“Një nga keqardhjet e mia është që ne institucionalisht nuk arritëm t’i zbulojmë në kohë dhe të ndihmonim në parandalimin e tyre, por ana pozitive ishte se megjithëse u shkatërruan shumë objekte në vend, projektet e Bankës Botërore nuk u prekën, madje u mbrojtën”.

Duke iu përgjigjur më pas më hollësisht pyetjes së Zërit të Amerikës, ai tha se nëse do të ishte forcuar mbikqyrja e bankave dhe nëse do të ishte ndjekur më me kujdes sektori bankar dhe veçanërisht sektori bankar jozyrtar, mund të kishte qenë e mundur që të zbuloheshin piramidat, në kohën kur aktiviteti i tyre po dilte jashtë kontrollit.

“Më vjen keq që Banka Botërore nuk e përqendroi vëmendjen në atë kohë dhe nuk luajti rolin e vet në parandalimin e skemave. Nuk shtrohet pyetja nëse do të kishte mundur t’i parandalonte, ose jo, por sigurisht që kur kriza u shfaq në ato përmasa, nuk ishte në qendër të vëmendjes sonë”, tha ai.

Zoti Linn e përmendi Shqipërinë në kuadrin e përvojave dramatike në Evropën Juglindore, një rajon siç tha ai që kapërceu shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, luftra dhe më pas periudhën e paqes e rindërtimit dhe aspiratave të këtij rajoni për integrim në Bashkimin Evropian.

“Këtu dua të ndalem shkurtimisht tek rasti i një suksesi vërtet për t’u shënuar siç është Shqipëria, e cila në krahasim me gjendjen ku ishte në vitin 1990, por veçanërisht në vitin 1992, i ka trefishuar të ardhurat për frymë, gjatë një periudhe rreth 10 vjeçare dhe në shumë drejtime, megjithë disa dobësi institucionale dhe të tjera, është sot vërtet në një gjendje të mirë, megjithëse mendoj se shumë prej nesh nuk e prisnin një gjë të tillë para dhjetë vjetësh”.

Por gjithsesi ai theksoi se ky zhvillim shihet duke patur parasysh se në ç’gjendje ishte Shqipëria në vitin 1990, me një ekonomi krejtësisht e izoluar, vendi më i prapambetur ekonomikisht edhe mes vendeve ish-socialiste.

“Nuk do të thotë që nuk ka probleme të vërteta, veçanërisht, duke e matur sipas standardeve të Bashkimit Evropian për qeverisje, ndërtim institucionesh dhe vazhdimësinë e reformave në vend. Jam dakord që ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, tha ai.

Zoti Linn doli në një konferencë shtypi për Evropën Lindore dhe Azinë Jugore. Zëvendës presidenti rajonal i Rajonit të Evropës dhe Azisë Jugore, Shigeo Katsu tha gjatë konferencës se problemi më i madh për aktivitet normal të Bankës Botërore në Serbi dhe Mal të Zi, si edhe në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë është pikërisht statusi i Kosovës.

“Statusi përfundimtar i Kosovës është i papërcaktuar dhe një gjë e tillë krijon një ndjesi nervozizmi tek të gjithë. Kombet e Bashkuara duhet të marrin rolin udhëheqës, por duhet përcaktuar një kohë për marrëveshje dhe konsensus për drejtimin që do të marrë Kosova”.

Ai tha se me këtë janë të lidhura edhe e ardhmja e Serbisë e Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës dhe nga ana ekonomike pa një zgjidhje përfundimtare nuk plotësohet sistemi i privatizimit.

Banka Botërorore e konsideron rindërtimin e Evropës Juglindore si një nga sukseset kryesore dhe si sfida kryesore të Evropës Lindore dhe vendeve të ish-Bashkimit sovjetik për vitet e ardhshme konsideron vazhdimësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, përmirësimin e qeverisjes dhe konsolidimin e shoqërisë civile, por edhe luftën kundër Sidës.

XS
SM
MD
LG