Lidhje

I pari nga tre debatet presidenciale - 2004-10-01


Mbrëmë në shtetin jugor të Floridas u mbajt i pari nga tre debatet mes kandidatëve presidencial amerikan. Presidenti George W. Bush mbrojti qëndrimin e tij rreth Irakut dhe punën në luftën kundër terrorizmit. Rivali i tij i partisë demokrate, John Kerry, kritikoi presidentin, dhe parashtroi qëndrimin e tij mbi disa çështje.

Kandidatët kishin pikëpamje krejt të kundërta lidhur me luftën në Irak. Senatori Kerry tha se ndërhyrja në Irak ishte gabim, ndërsa presidenti Bush tha se ishte e nevojshme dhe se lufta e vazhdueshme me kryengritësit e ka vërtetuar këtë.

“Armiku e kupton se një Irak i lirë do të jetë një humbje e madhe në ideologjinë e tyre të urrejtjes. Prandaj ata luftojnë me aq egërsi. Ata erdhën në Afganistan dhe u munduan të na mposhtnin por nuk mundën; tani ata kanë ardhur në Irak për të njëjtën arsye. Ata duan të na mposhtin. Nëse humbasim vullnetin tonë ne do të humbasim. Por nëse mbetemi të fuqishëm dhe të vendosur atëherë ne do ta mposhtim këtë armik”, tha presidenti Bush.

“Unë besoj se duhet të jemi të fuqishëm dhe të vendosur dhe unë do t’i ndjek dhe t’i vras terroristët kudo që janë. Por ne duhet të jemi edhe të mençur. Dhe të jemi të mençur do të thotë që të mos devijojmë nga lufta e vërtetë kundër terrorizmit, nga Afganistani në luftë kundër Osama Bin Ladenit, në Irak, ku komisioni i 11 shtatorit provoi se 11 shtatori nuk kishte fare lidhje me Sadam Husseinin. Dhe arsyeja e luftës ishin armët e shkatërrimit në masë dhe jo rrëzimi i Sadam Husseinit nga pushteti. Më vjen keq ta them, por ky president ka bërë një gabim shumë të madh në gjykimet e tij”, tha senatori Kerry.

Senatori Kerry tha se përqendrimi i presidentit tek Iraku, i cili me sa duket nuk kishte armë të shkatërrimit në masë, ka lejuar Korenë e Veriut dhe Iranin të bëjnë përparime në programet e tyre të armëve bërthamore.

“Për dy vjet kjo administratë nuk ka folur fare me Korenë e Veriut. Ndërsa nuk flisnin fare, inspektorët u nxorën jashtë, kamerat televizive u nxorën jashtë dhe sot Korea e Veriut ka në duart e saj katër deri në shtatë armë bërthamore. Kjo ndodhi gjatë kohës së këtij presidenti. Dhe unë mendoj se ky është një nga mesazhet më të paqarta që mund të dërgohen”, tha senatori Kerry.

Senatori Kerry bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve dypalëshe me Korenë e Veriut. Presidenti Bush tha se koreano-veriorët nuk u ishin përmbajtur marrëveshjeve dhe tani bisedimet 6-palëshe me pjesëmarrjen e Kinës dhe vendeve të tjera do të krijonin më shumë presion ndaj udhëheqësit të Koresë së Veriut.

“Unë mendoj se kjo do të funksionojë. Nuk do të funksionojë nëse ne hapim bisedimet me Kim Jong Ilin rreth çështjeve, që ai do të diskutojë. Ai do që bisedimet 6-palëshe të mos vazhdojnë dhe që koalicioni prej 5 vendesh, që po dërgon një mesazh të qartë, të shpërbëhet. Mendoj se të njëjtën gjë mund ta bëjmë edhe me Iranin. Duhet të vazhdojmë të punojmë me botën për të bindur mullahët iranianë të braktisin ambiciet e tyre bërthamore.”, tha presidenti Bush.

Presidenti dhe senatori Kerry kishin mendime të ndryshme se kush do të bënte punë më të mirë për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga sulme terroriste dhe në marrëdhëniet me Rusinë. Secili u munduan të bindte votuesit se ai dhe jo kundërshtari i tij do të ishte kandidati më i mirë për vendin në kohë lufte. Debati i dytë do të zhvillohet javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG