Lidhje

Vështrim i shkurtër i debateve nën-presidenciale - 2004-10-05


Debati i vetëm ndërmjet kandidatëve për nënpresident të Shteteve të Bashkuara zhvillohet sonte në shtetin Ohio. Debati ndërmjet nënpresidentit Dick Cheney dhe kandidatit demokrat për nënpresident John Edwards po pritet me interesim të madh.

Debatet e kandidatëve për nënpresident shpesh kanë qenë shumë agresive. Këto debate ishin edhe më agresive se debatet e kandidatëve për president, me sulmet ndaj qëndrimit, udhëheqjes dhe karakterit të kandidatit kundërshtar. Debati i vitit 1988 ndërmjet senatorit Lloyd Bentsen, kandidat i partisë demokrate dhe senatorit Dan Quayle, kandidat i partisë republikane, i dha publikut një nga momentet më të pashlyeshme në historinë e debateve.

"Unë, tha senatori Dan Quayle, kam po aq përvojë në Kongres sa ç’kishte edhe Jack Kenedi kur vuri kandidaturë për president."

Senator, u pergjegj zoti Bentsen, unë kam shërbyer në Kongres me Jack Kenedin. Unë e kam njohur Jack Kenedin. Ai ishte mik i imi, dhe ju senator, nuk jeni Jack Kennedy.

Zoti Quayle humbi debatin, por u zgjodh nënpresident në administratën e presidentit George H. Bush, babai i presidentit aktual amerikan. Katër vjet më pas, në vitin 1992 nënpresidenti Quayle zhvilloi debat me kandidatin demokrat për nënpresident, senatorin Al Gore, si dhe nën-admiralin James Stockdale, i cili po konkuronte si kandidat i pavarur. Stili disi i çuditshëm në debat nga kandidati Stockdale ishte grushti dërrmues ndaj shanseve të grupimit të pavarur politik për të fituar në zgjedhje.

Debati i kandidatëve për nënpresident këtë vit mund të ndihmojë në vendosjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Analisti politik Stephen Hess i Institutit Brookings, thotë se publiku shpreh interes të madh për këtë debat.

"Si rrjedhojë e polemikave që shkakton zoti Cheney dhe rolit që ai ka luajtur në administratën e presidentit gjatë tre viteve të fundit, mendoj se njerëzit do ta ndjekin këtë debat me interes të veçantë."

Analistët thonë se dy debatuesit do të kenë stile të ndryshme: stili profesional por i ashpër i nënpresidentit përballë stilit prej prokurori të senatorit Eduards. Debati do të zhvillohet në Universitetin Case Western Reserve në shtetin Ohio, i cili ka një rëndësi të veçantë për të dy kandidatët. Republikanët nuk kanë fituar asnjëherë Shtëpinë e Bardhë, pa fituar më parë këtë shtet, ndërsa vetëm 2 kandidatë demokratë kanë fituar zgjedhjet presidenciale pa marrë 20 votat që sjell ky shtet në kolegjin elektoral.

//ze//

XS
SM
MD
LG