Lidhje

Debati midis dy kandidatëve për nënpresident - 2004-10-06


Historikisht debatet ndërmjet kandidatëve për nën-president kanë qenë në plan të dytë krahasuar me debatet presidenciale. Por pas debatit të parë javën e kaluar ndërmjet presidentit Bush dhe kandidatit demokrat John Kerry, debati ndërmjet dy kandidatëve për nënpresident mori një rëndësi më të madhe. Nënpresidenti Dick Cheney dhe kandidati demokrat për nënpresident John Edwards debatuan mbi Irakun dhe çështje të brendshme në takimin e parë ndërmjet tyre në kuadrin e fushatës presidenciale. Të dy kandidatët dukeshin të zellshëm të hidheshin në sulm për të mbrojtur arritjet dhe vendimet e kandidatit përkatës për president. Senatori Edwards e akuzoi administratën se nuk është treguar e sinqertë me popullin amerikan lidhur me Irakun, duke thënë se Amerika ka humbur besueshmërinë në botë si rrjedhojë e luftës: "Është tepër e rëndësishme të jemi të besueshëm. Është e rendësishme që bota të besojë se kur Amerika angazhohet në veprime, ajo të mund të ketë besim tek ato që ne bëjmë dhe themi. Kur flasim në Kombet e Bashkuara dhe kur diskutojmë me udhëheqësit botërorë, bota duhet të jetë e sigurtë për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara, pasi nuk do të na mbështesë nëse nuk ka besim tek ne. Për fat të keq tani po shohim pasojat e kësaj. Prandaj edhe po ndeshim shumë vështirësi për të angazhuar të tjerët në përpjekjet tona në Irak".

Nën presidenti Cheney, i cili pritej të debatonte me një stil më të qetë, e ktheu debatin në një sulm personal ndaj të kaluarës së kandidatit demokrat John Kerry: "Senatori do të ishte shumë më i besueshëm nëse e kaluara e tij do të mbështeste ato që thotë. Por nuk është kështu. Nuk mund të përdorësh një ton të vendosur në një debat 90 minutash për të mjegulluar një karrierë 30 vjeçare në Senat. Edhe më parë John Kerry ka mbajtur vazhdimisht anën e gabuar për çështje të rëndësishme të politikave të mbrojtjes".

Debati prej 90 minutash u përqëndrua edhe në çështje të brendshme. Ekonomia është një temë shumë e rëndësishme për spektatorët e debatit në shtetin Ohio, i cili ka pësuar humbje të vendeve të punës gjatë viteve të fundit. Senatori Edwards iu kundërvu deklaratave të nën presidentit Cheney se ekonomia po përmirësohet: "Kemi 111 milion taksapagues amerikanë që kanë përfituar nga uljet tona të taksave. Kemi 33 milion studentë që kanë përfituar nga politikat për të ndihmuar në përparimin e çdo fëmije. Kemi 40 milion pensionistë që kanë përfituar nga reformat në sistemin e sigurimeve shëndetësore për të moshuarit. Demokratët premtuan se do të ofronin ndihma për të përballuar shpenzimet e ilaçeve. Prej vitesh e kanë përfshirë këtë premtim në platformat e tyre zgjedhore, por nuk e kanë realizuar. Presidenti e bëri një gjë të tillë. Ne i ulëm në masën 5 milion dollarë taksat federale mbi të ardhurat, në mënyrë që ata të mos paguajnë më taksa federale. Pra kemi arritje të mira. Zoti Edwards po përdor statistika të vjetra të vitit 2003, ku nuk përfshihen arritjet e vitit të fundit. Ne kemi hapur 1 presje 7 milion vende të reja pune".

Nënpresidentit dhe presidentit u pëlqen të flasin për përvojën e tyre gjatë fushatës. Miliona vetë kanë humbur punën. Miliona amerikanë jetojnë në varfëri. Të ardhurat e familjeve kanë rënë, ndërsa kostoja e jetesës është rritur. Kostoja e shërbimit mjekësor ka arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Një tjetër problem është Iraku. Zoti nën-president, nuk mendoj se vendi mund të përballojë edhe katër vjet të tjerë në këtë gjendje.

Të dyja fushatat shpresonin që debati nënpresidencial të kishte një efekt pozitiv. Formati i debatit, me dy kandidatët të ulur përballë njëri-tjetrit krijoi hapësirë për një përplasje më të madhe krahasuar me debatin presidencial. Efekti i këtij debati ka të ngjarë të vazhdojë deri të premten kur dy kandidatët për president zhvillojnë debatin e tyre të dytë në shtetin Mizuri.

XS
SM
MD
LG