Lidhje

Debati i dytë presidencial në formën e konferencave të shtypit - 2004-10-07


Presidenti Bush dhe kandidati i partisë demokrate, John Kerry do të diskutojnë për çështje të brendëshme në debatin e tyre të dytë që zhvillohet të premten. Ky debat është hartuar sipas takimeve tradicionale para zgjedhjeve.

Debati i parë zyrtar midis presidentit George Bush dhe kandidatit presidencial të Partisë Demokrate John Kerry u drejtua nga gazetari Jim Lehrer i cili i ndërtoi vetë të gjitha pyetjet e debatit. Të dy kandidatët qëndruan pas podiumeve dhe nuk shkëmbyen fjalë me njeri tjetrin. Në kontrast, debati i së premtes midis të dyve do të ketë formën e takimeve ku të pranishmit bëjnë pyetje. Historia e takimeve të tilla filloi në New England para luftës revolucionare dhe vazhdon edhe sot në disa zona.

Qytetarët takoheshin në bashkinë e qytetit për të debatuar probleme dhe për të marrë vendime që preknin komunitetin e tyre. Profesor Louis Wolfson thotë se stili i këtij debati presidencial është në një farë mënyre si konferencat e shtypit.

"E veçanta e kësaj forme është se ajo tërheq publikun në debat. I bën njerëzit që shohin të thotë “unë do të bëja këtë apo atë pyetje dhe të paktën krijohet ideja se vetë qytetarët janë në gjendje të bëjnë pyetjet që kanë në mendje dhe që prekin jetët e tyre".

Debatet e tanishme presidenciale në formën e konferencave të shtypit nuk janë tamam si ato të bashkive. Zakonisht pyetjet janë të miratuara më parë dhe qytetarët janë të parazgjedhur, por ato bëjnë të mundur që publiku amerikan të shohë kandidatët në veprim dhe se çfarë mendojnë ata. Dhe kjo i ndihmon qytetarët të vendosin për cilin kandidat të votojnë. Profesori Wolfson thotë se disa politikanë i kanë përdorur këto forma për të komunikuar me votuesit edhe kur nuk kandidojnë për poste. Ai thotë se ish presidenti Bill Clinton mbajti takime të till për të shpjeguar politikat e tij dhe për të dëgjuar shqetësimet e njerëzve të thjeshtë.

//ze//

XS
SM
MD
LG